Premier League

Klopp: Minamino u karikua me këngë, dëmtimi i Chamberlain na prishi festën

Liverpool arriti një fitore të pastër ndaj Brentford ditën e djeshme. Djemtë e Jurgen Klopp triumfuan 3-0 në “Anfield”, duke u rikthyer te fitorja në Premier League pas tre javësh dhe duke parakaluar Chelsea në vendin e dytë.

Distanca me Manchester City kryesues është 11 pikë, por Liverpool ka luajtur një ndeshje më pak se kampionët në fuqi. Fabinho hapi serinë e golave, ndërsa Alex Oxlade-Chamberlain dyfishoi duke gjetur golin e parë sezonal në Premier League.

28-vjeçari pësoi një dëmtim pak minuta pas golit dhe u detyrua të largohej nga fusha. “Ishte e vetmja njollë e kësaj ndeshje të bukur. Ai ndjeu probleme në kavilje, shpresoj të mos jetë një dëmtim serioz”, deklaroi Jurgen Klopp.

Më pas një koment për Takumi Minamino, autorin e golit të tretë. Një gol i veçantë për japonezin në ditën e 27-vjetorit të tij. “Taki u karikua nga urimet dhe këngët që i kënduan përpara ndeshjes në dhomat e zhveshjes.

Jam i lumtur që shënoi, ai po kalon një formë të shkëlqyer”, deklaroi trajneri i Liverpool. Ndeshja e radhës do të luhet të enjten e 20 janarit kundër Arsenalit në Londër, takimi i kthimit gjysmëfinal në Kupën e Ligës.

Tekniku gjerman komenton këtë duel tepër të rëndësishëm. “Kjo fitore është e mirë për vetëbesimin në lidhje me duelin me Arsenalin. Sigurisht që duhet të bëjmë më mirë se sa në ndeshjen e parë”.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency