“Klubet t’iu ndalojnë futbollistëve alkoolin”, Grealish bëhet çështje në Angli!
Jack Grealish ka qenë padyshim një nga futbollistët më të komentuar të javëve të fundit. Jo për atë që ka bërë në fushë, pasi sezoni tashmë ka përfunduar, por për mënyrën e veçantë me të cilin sulmuesi anësor i Manchester City festoi titullin e tij të parë kampion në Premier League.
Lojtari më i shtrenjtë në historinë e The Citizens, nuk u kursye aspak me konsumimin e alkoolit ndërsa festa vazhdoi në Ibiza apo Las Vegas, me Grealish që fotografohej gjithnjë në qejf falë pijes. Por, së fundmi në drejtim të anglezit ka pasur kritika të shumta ndërsa ish-futbollisti i Liverpool, Stanley Collymore thekson se klubet duhet t’i ndalojnë futbollistët të konsumojnë alkool.
“Nuk më pëlqen që futbollistët të shfaqen në faqet e para të shtypit të dehur, shpresoj që Grealish ta marrë në kosideratë këshillën time. Edhe pse diçka e tillë mund të duket çmenduri, mua do të më pëlqente që klubet e futbollit t’ia ndalojnë alkoolin lojtarëve. Shkenca në këtë pikë është e qartë dhe alkooli dëmton performancën në fushë.
Mjafton të shihni Ronaldon, Ibrën apo Milner. Ata gjithnjë qëndrojnë të pastër dhe në fushë paraqiten shumë mirë. E di që kur mbaron sezoni tundimi për të pirë është i madh, por mendoj se seriozisht duhet aplikuar një rregull kundër alkoolit”, u shpreh Collymore.



