Manchester City klubi më i mirë?! Reali ironizon me postimin Twitter
Në mbrëmjen gala të Topit të Artë, pak para se t’i jepej çmimi Karim Benzemasë, trofeu për klubin më të mirë në botë gjatë sezonin ‘21-’22 shkoi për Manchester City-n. Kur të gjithë prisnin që të dëgjohej emri i Realit të Madridit (kampion i Championsit dhe La Ligës), “France Football” befasoi duke dekoruar Manchester City-n, fituesin e Premier League-s… i eliminuar nga “Los Blancos” në gjysmëfinale të Championsit.

Tifozët e Realit nuk hezituan të kritikojnë në rrjetet sociale faktin që çmimi iu dha City-t… dhe një postim i klubit mbretëror e ndezi shpirtin e tyre. Një “cicërimë” e thjeshtë. Dy sy, duke parë. Nuk u desh shumë dhe ajo u bë menjëherë virale dhe të gjitha komentet ishin të njëjta. Madridi u befasua me vendin e tretë në renditjen e klubit më të mirë të sezonit. I dyti ishte Liverpooli, i cili u mposht në finale pikërisht përballë Realit.



