La Liga

Koeman: Na u mohua një penallti, nuk e kuptova pse nuk ndërhyri VAR-i

Barcelona i dha fund serisë prej 6 fitoresh radhazi në kampionatin spanjoll, pasi u mposht të shtunën në mbrëmje në “Alfredo Di Stefano” të Madridit, me rezultatin 2-1 nga Reali ,në një nga El Clasico-t më interesante të viteve të fundit.

Los Blancos e nisën vrullshëm ndeshjen dhe kaluan në avantazh me Benzema në minutën e 13’, ndërsa më pas ishte Toni Kroos që shënoi edhe golin e dytë në të 28-ën, pas një goditjeje dënimi të devijuar në mur.

Pjesa e dytë ishte vërtetë spektakolare, pasi u luajt nën një rrebesh komplet të pazakontë shiu, që shpesh pengonte edhe shikimin e lojtarëve, në fushë, ndërsa topi shkonte sa në një portë, në tjetrën.

Katalanët ia dolën të rihapin takimin me anë të Minguesa-s në minutën e 60’, ndërsa më pas krijuan sërish raste, por nuk ia dolën, teksa në sekondat e fundit Moriba ishte i pafat duke goditur traversën e portës së Courtois.

Nuk munguan as polemikat për gjykimin, teksa edhe trajneri Koeman pretendoi se katalanëve u është mohuar një penallti, duke sjellë në vëmendje episodin e Braithwaite, që u rrëzua pas një tërheqjeje të Mendy në zonë, por që arbitri dhe VAR nuk e gjykuan si 11-metërsh.

“për mua ishte penallti e qartë dhe këtë e panë të gjithë. Mënyra se si Braithwaite u rrëzua, tregonte se ishte penallti e qartë, ndaj nuk e kuptova si nuk ndërhyri as VAR-i. Megjithatë nuk dua të flas më shumë për këtë episod, pasi nuk është mirë. Skuadra ishte mjaft mirë mendërisht dhe e përballoi si duhet ndeshjen”, u shpreh Koeman.

Tani katalanët do të bëjnë një pushim të shkurtër në kampionat, pasi fundjavën e ardhshme do të luajnë finalen e Kupës së Mbretit ndaj Athletic Bilbaos, për t’u rikthyer më 22 prill me ndeshjen ndaj Getafes.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency