Koeman “qan” rastin e Dest: Ndaj Realit luajtëm si të barabartë
Në një “Camp Nou” të mbushur plot e përplot, Barcelona pa të humbte 1-2 në El Clasicon ndaj Realit të Madridit, megjithatë për trajneri Koeman ka shumë gjëra pozitive që mund të veçohen nga një takim si ky.
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, tekniku holandez i katalanëve pranoi se nuk është i kënaqur me rezultatin, por më se i lumtur me atë që dhanë djelmoshat e Barcës në fushë, duke treguar se mund të garojnë denjësisht me një skuadër si Reali.
“E qartë që nuk jam aspak i kënaqur me rezultatin, pasi në pjesën e parë treguam se jemi një skuadër mjaft e mirë dhe patëm një mundësi të shkëlqyer me Dest, por nuk ia dolëm të shënojmë,. E dinim që ata mbrohen shumë mirë dhe nuk donim t’i linim të kalojnë në avanatzh, por për fat të keq erdhi ajo goditje perfekte e Alabës, që na ndëshkoi.
Të humbësh një klasike në shtëpi përballë Realit, nuk është e lehtë për t’u kapërdirë, por më pëlqeu mbështetja e publikut dhe ajo që tregoi skuadra në fushë. Nuk patëm shumë raste, por mund të kishim bërë më mirë me Dest.
Ne kemi një skuadër me shumë lojtarë të rinj, të cilët gjithsesi treguan se mund të përballen si të barabartë edhe me futbollistë kampionë si ata të Realit të Madridit, ndaj kjo më bën optimist që e ardhmja do ët jetë gjithmonë e më e bukur”, deklaroi Koeman.



