Kombëtare

Kombëtarja, bilanci i një fushate eliminatore

Përfundoi mes duartrokitjeve në Air Albania-n e boshatisur, një epilog i mirë, falë asaj penalltie dhe golit të Cekiçit që zgjidhi një ndeshje që po bëhej më e komplikuar nga sa pritej, dhe ku për 70 minuta, dukej se dhe fati nuk donte t’i buzëqeshte një goli kuqezi mes shumë rastesh të krijuara. Fushata kualifikuese e Shqipërisë në Katar 2022 mbyllet me kuqezinjtë në vendin e tretë në grup, pas Anglisë dhe Polonisë, dy kundërshtarë që fusha i konfirmoi më të fortë, pasi fituan të dyja ndeshjet ndaj skuadrës së Reja-s.

Një vend i tretë që në një farë mënyre realizon objektivin, por jo ëndrrën. 18 pikë, një kuotë rekord për Shqipërinë në gjithë këtë fushatë eleminatoresh, 6 fitore dhe 4 humbje, me 12 gola të shënuar në 10 ndeshje dhe po kaq të pësuar mund konsiderohet një bilanc pozitiv, edhe pse në fakt me shumë pengje. Sidomos për atë sfidë me Poloninë në Air Albania që mund të kishte ndryshuar fatin e këtyre eleminatoreve. Vigjilja e asaj sfide ishte ndoshta momenti më i mirë i kësaj fushate për kombëtaren që me një barazim do të kishte mbajtur pas polakët për dy ndeshjet e fundit të nëntorit, më i keqi, padyshim ajo humbje 5-0 e pak ditëve më parë me Anglinë, rezultat që rrit edhe më tepër rëndësinë e fitores së fundit ndaj Andorës.

Fushata ka shërbyer edhe për rinovimin e skuadrës që në këto eleminatore ka zbuluar yllin e saj të madh, Armando Brojën, protagonist i dy fitoreve ndaj Hungarisë, kryegolashënues i skuadrës në këto kualifikuese ku veç tij kanë gjetur rrjetën nga 2 herë Uzuni dhe Manaj, si dhe Cikalleshi, Hysaj, Lenjani, Laçi dhe së fundmi Çekiçi. Një meritë e Kombëtares ishte dhe se për herë të parë pas shumë e shumë vitesh, i bëri tifozët të ëndërrojnë kualifikimin në një Kupë Bote, duke dhuruar emocione të veçanta. Tani para janë impenjimet e së ardhmes, me fokusin te Euro 2024, kualifikimi në Kampionatin Europian, me një format shumë më favorizues se Botërori është objektivi i madh i kuqezinjve.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency