Lajme

Kosova dominon ndaj Gjibraltarit, por “ruan” golat për Malin e Zi

Kosova dominoi totalisht në miqësoren ndaj skuadrës gjysmë-amatore të Gjibraltarit, duke kontrolluar topin në 68% të kohës, por në fund arriti të fitojë vetëm me rezultatin minimal 1-0 në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.

Trajneri Bernard Challandes kishte preferuar të aktivizojë një pjesë të mirë të lojtarëve të afruar rishtazi, por edhe ata që kanë marrë pak minuta gjatë kësaj kohe, ndërsa përgjigjet ishin pozitive, pasi “Dardanët” nuk rrezikuan thuajse asgjë në prapavijë.

Samir Ujkani ishte në rolin e një spektatori në takimin e sotëm, ndërsa thuajse e gjithë loja u zhvillua në gjysmëfushën e Gjibraltarit, por goli erdhi vetëm në minutën e 69’ të takimit, dhe u shënua nga mesfushori Florent Hasani.

22-vjeçari luan për hungarezët e DVTK-së dhe u aktivizua nga Challandes në fillim të pjesës së dytë, ndërsa pasi mori një top në zonë nga Paqarada, gjuajti bukur me të majtën, me topin që u devijua në trupin e Atdhe Nuhiut dhe u ndal në rrjetën e portës së Gjibraltarit.

Kjo ndeshje ishte një test paraprak për Kosovën, që të dielën në mbrëmje do të përballet me Malin e Zi po në “Fadil Vokrri”, por këtë herë në një takim mjaft të rëndësishëm sa u përket eliminatoreve të Euro 2020-ës.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency