Kosova/ Ftesë lojtarit të Ballkanit dhe një ndryshim në staf, Giresse me plan të qartë
Skuadra Përfaqësuese e Kosovës në futboll ka mbajtur seancën e dytë stërvitore të martën, në përgatitjet që po bën për dy ndeshjet miqësore ndaj Burkina Fasos (24 mars) dhe Zvicrës (29 mars). Përderisa në stërvitjen e parë ishin vetëm 13 lojtarë, në qendrën stërvitore në Hajvali zbritën në fushë të gjithë futbollistët, përfshirë edhe ardhjen më të re Lumbardh Dellova.
Mbrojtës i Ballkanit, ekipit që kryeson kampionatin dardan, u ftua në vend të Emir Sahitit, i cili u lëndua. Trajneri francez, Alain Giresse ka kompletuar tashmë edhe stafin teknik: si trajner të parë ka David Le Gof, ndërsa kanë qëndruar edhe dyshja Sebastian dhe Thomas Richard. I vetmi trajner që nuk ishte i pranishëm është ai i portierëve: Ahmet Beselica.

Si zakonisht stërvitja ishte e hapur për mediet në 15 minutat e para ku futbollistët bënë nxehjet e zakonshme. Futbollistët vendosën edhe jelekët matës, për të parë gjendjen e tyre fizike në mënyrë që të ketë një ide më të qartë trajneri Giresse se cilët janë lojtarë janë më të gatshëm për të startuar të enjten.

Një pjesë e stërvitjes iu kushtua edhe vendosjes teknike-taktike, pasi trajneri 69 vjeçar do të mundohet të instalojë sa më parë filozofinë e tij të lojës. Kosova të mërkurën do të ketë dhe stërvitjen e fundit para ndeshjes ku edhe do të mund të përcaktohet formacioni për përballjen ndaj Burkina Fasos, që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Sa e njihni La Ligën?
Testoni njohuritë tuaja mbi kampionatin spanjoll...



