Kosova zyrtarizon trajnerin/ Giresse: Dua një skuadër kolektive, me mentalitet dhe moral
Alain Giresse është zyrtarishtr trajner i Kosovës. 69-vjeçari francez u prezantua nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në konferencën e posaçme për shtyp të organizuar për këtë rast.
“Para disa viteve kam vizituar Kosovën, kur president ishte Fadil Vokrri. Kam pasur lidhje shumë miqësore, shumë të forta me të. Në Francë kur kam dëgjuar për vdekjen e tij, jam prekur shumë”, u shpreh fillimisht Giresse.”
Kundërshtar i Kosovës: “Kur isha në krye të Senegalit, kemi zhvilluar një ndeshje miqësore me Kosovën në Gjenevë. Atje nuk e njihnin Kosovën. Më kanë pyetur kundër kujt do të luajmë. U thashë se e njoh këtë vend shumë mirë, ndaj duhet të luajmë.”
Potenciali i dardanëve: “Unë vlerësoj një ekip që luan mirë në mbrojtje, por që ka edhe individualitete shpërthyese. Kosova ka lojtarë që janë teknikë dhe kjo është diçka që duhet shfrytëzuar, sigurisht. Gjithsesi, unë kurrë nuk shoh pas, shoh nga e ardhmja. Dëshiroj që me ekipin ekzistues të krijoj një ekip të vërtetë, kolektiv. Të luftojnë në çdo ndeshje. Ka ndeshje të lehta dhe të vështira, por duhet të kemi shpirtin luftarak, gjithmonë duke e respektuar ekipin kundërshtar. Dua një ekip që ka mentalitet dhe moral. Është me rëndësi që kur ekipi të hyjë në fushë, të ndihet i fortë. Shpresojmë në tifozët që të na mbështetin. Ne themi gjithmonë që tifozët janë lojtari i 12-të”.
Giresse zbuloi se ka nënshkruar kontratë deri në nëntor 2023, që përkon me fushatën eliminatorë te Ligës së Kombeve.



