Krahasimi me Guardiolën dhe oferta surprizuese, Xavi: Refuzova kampionët e botës për Barcelonën
Xavi është trajneri i ri i Barcelonës. Ish-mesfushori i madh katalanas, luajti 17 sezone në “Camp Nou”, duke fituar çdo trofe të mundshëm.
Tani shpreson dhe beson të përsërisë të njëjtat suksese në pankinën e skuadrës së zemrës, teksa ka firmosur një kontratë deri më 30 qershorin e vitit 2024.
Gjatë konferencës për shtypin, Xavi u ndal edhe te krahasimi si trajner me Pep Guardiolën. Në fund zbulon se kishte marrë një ofertë nga kombëtarja e Brazilit.
“Është sukses vetëm fakti që krahasohem me Pepin. Ai është trajneri më i mirë në botë sipas meje. Sigurisht që për momentin nuk është gjë e mirë të bëhen krahasime mes nesh.
Rezultatet do otë tregojnë se kush do të bëjë më mirë, por e përsëris: është sukses për mua të krahasohem me të”.
41-vjeçari zbuloi edhe një prapaskenë interesante. Drejtuesit e Brazilit i ofruan stolin e pesë herë kampionëve të botës, por Xavi nuk mund të refuzonte Barcelonën e tij.
“Po, është e vërtetë që mora një ofertë nga Brazili. Në fillim më ofruan të punoj si ndihmës i Tites, për t’u bërë trajneri i parë pas Katar 2022, por dëshira ime ishte të vija te Barcelona”, thekson trajneri i skuadrës katalanase.



