Kryen nga 4 zëvendësime, a do të përjashtohen City dhe Arsenal nga Carabao Cup?
Manchester City dhe Arsenal arritën të kualifikohen mes vështirësish, vetëm pas minutave shtesë, në Carabao Cup, mbrëmjen e të martës, por dy klubet ende nuk mund të jenë të qeta. Si Guardiola, ashtu edhe Wenger kanë kryer nga 4 zëvendësime dje dhe deri këtu nuk ka asgjë jonormale, sepse ky turne e lejon, por interpretimi i rregullores ka hapur një debat të madh në opinionin sportive në Angli.
Sipas rregullores së Carabao Cup, çdo klub mund të kryejë vetëm 3 zëvendësime gjatë 90 minutave dhe në rast se ndeshja i drejtohet minutave shtesë, mund të kryejë edhe 1 tjetër. Por ditën e djeshme, Guardiola kreu vetëm 1 gjatë 90 minutave dhe 3 të tjerë në fillim të shtesës prej 30 minutave, ndërsa Wenger 2 breenda kohës së rregullt dhe 2 të tjerë në shtesë.
Opinioni sportive është ndarë në dy pjesë, ata që besojnë se është shkelur rregullorja, sepse lejohet vetëm 1 zëvendësim në minutat shtesë dhe pjesa tjetër që pretendon se gjithçka ka qenë e rregullt, sepse nëse ndeshja shkon në shtesë, çdo skuadër mund të përdorë 3+1 zëvendësime dhe i takon trajnerit të vendosë se kur do t’i kryejë ato.
Por a do të eliminohen, Arsenal dhe Manchester City nga Carabao Cup? Përgjigja do të vijë shumë shpejt, pasi të mblidhet një komision, që do të bëjë interpretimin e rregullores së Kupës.



