Kategoria Superiore

Kthesa nis nga Rrogozhina, Tirana “e dënuar” të fitojë ndaj Egnatias

Tirana zbret në fushën e Egnatia Arena këtë të shtunë për tu rikthyer te fitorja që i mungon prej dy ndeshjesh në kampionat, për të ruajtur një kryesim që kërcënohet më shumë se kurrë nga Kukësi. Me vetëm 1 pikë diferencë ndaj verilindorëve, bardheblutë e Orges Shehit duhet të rigjejnë menjëherë marshin e fitoreve, për të mos komplikuar ecurinë në këtë kampionat.

E njëjta dëshirë për reagim është edhe në kampin e Egnatias, klubi rrogozhinas shkarkoi pak ditë më parë trajnerin Gugash Magani, pavarësisht se kanë kaluar turin në Kupë duke eleminuar Kukësin, ndërsa në kampionat janë vetëm pak pikë larg zonës europiane, dhe për këtë ndeshje skuadra do të drejtohet nga trajneri i përkohshëm Përparim Daiu që ka marrë timonin e skuadrës në pritje të përzgjedhjes së një trajneri afatgjatë.

Egnatia që mund të cilësohet deri më tani si surpriza e sezonit, nuk fiton prej tre ndeshjesh, seri ku ka realizuar dy barazime dhe një humbje, dhe edhe ndryshimi i trajnerit në një farë mënyre reflekton ambiciet e mëdha të drejtuesve që janë të bindur se kanë investuar në një skuadër me objektiv kompeticionet europiane.

Te Tirana ndërkohë Orges Shehi gjatë këtyre ditëve ka punuar specifikisht me sulmin, mungesa e Redon Xhixhës që nuk do të jetë në këtë ndeshje është ndier së tepërmi, me Majkëll Ngoo në ngërç para porte, Taulant Seferi e ka të vështirë të mbajë i vetëm peshën e gjithë repartit.

Gjithsesi për sa i përket mbrojtjes trajneri i Tiranës i gëzohet rikthimit të Behiratche, një lojtar i rëndësishëm edhe përballë një Egnatie ku elementët cilësore nuk mungojnë, duke nisur nga më i spikaturi braziliani Pedro Augusto.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency