Kthimi i Rrumbullakut, Kukësi gjen qetësinë në mbrojtje
Ndalesa e kampionatit erdhi në momentin e duhur për Kukësin, që vinte nga dy humbje radhazi. Ndeshjet e Kombëtares larguan disi vëmendjen jo vetëm nga verilindorët, por edhe nga Kategoria Superiore. Ky dyjavësh i ka shërbyer trajnerit Armando Cungu për të qetësuar disi skuadrën pas disfatave me Skënderbeun dhe Partizanin, por mbi të gjitha, të gjejë mbrojtësin e majtë që i kishte munguar. Simo Rrumbullaku ka lënë pas dëmtimin dhe i është bashkuar grupit, duke shtuar forcën në skuadër.
Një lojtar i rëndësishëm, për të cilin edhe vetë trajneri ka theksuar është ndier në javët e fundit. Gjirokastriti ka luajtur vetëm një ndeshje këtë sezon, në javën e dytë, në Vlorë, ku pësoi një dëmtim të rëndë, që e la jashtë fushave të blerta për një periudhë gati dymujore. Megjithatë, 27-vjeçari ka lënë pas dëmtimin dhe tashmë është vendosur nën urdhrat e trajnerit Armando Cungu për një sfidë ku objektivi i vetëm është fitorja.
Ajo që duhet parë është forma e mbrojtësit, teksa do të jetë stafi mjekësor ai që do të vendosë për aktivizimin e tij të mundshëm këtë javë, në pritje që të kapë ritmin e duhur për të përballuar 90 minutat e plota. Edicionin e kaluar Rrumbullaku ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kukësit, teksa këto javë mungesa e tij dhe e mesfushorit Besar Musolli është ndier shumë te nënkampionët.



