Kualifikueset e Afrikës, rikthehet super përballja Senegal-Egjipt
Kontinenti afrikan do të mësojë këtë mbrëmje pesë skuadrat me të cilat do të prezantohet në Kupën e Botës “Katar2022”.
Gjithçka do të nisë në orën 19:00, me kryefjalën, Senegal – Egjipt. Dy finalistët e Kupës së Afrikës vendosen përballë njëra – tjetrës për një biletë në Katar, ndërsa në sfidën e parë, Egjipti i Salah triumfoi minimalisht pas një autogoli të Ciss pas katër minutash lojë. Në shtëpi Mane me shokë do të kërkojë përmbysjen për të prekur fazën finale të Kupës së Botës.
Paralelisht, në të njëjtin orar do të luhet edhe sfida tjetër, Nigeri – Gana, me ndeshjen e parë që nuk prodhoi fitues pas barazimit 0-0, ndaj gjithçka është e hapur dhe pse vendasit nisen si favoritë.
Tre sfidat e tjera do të luhen në orën 21:30, ku spikat përballja Algjeri – Kamerun. Vendasit do të provojnë të ruajnë avantazhin minimal të sfidës së parë, me golin e Slimanit. Në krahun tjetër, Kameruni dominoi në takimin e 25 marsit, por nuk ia doli të shënonte, ndërsa në këtë mbrëmje, pavarësisht rezultatit në sfidën e parë, kualifikimi mbetet i hapur dhe pritet të jetë një sfidë tepër e luftuar.
Marok-u nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj D.R. Congo në sfidën e parë, duke lënë të hapur çështjen e kualifikimit. Në këtë mbrëmje vendasit janë favoritë në letër, por tani duhet ta vërtetojnë edhe në fushë që e meritojnë te jenë në Botëror, ndërsa në krahun tjetër Congo është gati të shkaktojë çdo surprizë, duke ditur edhe faktin që presioni do të jetë mbi kundërshtarin.
Në takimin e fundit, Tunizia do të kërkojë të ruajë avantazhin e sfidës së parë ndaj Mali-t, pas suksesit minimal 1-0. Përfaqësuesja e Mali-t nuk do të ketë në dispozicion Sissako, i cili ishte protagonist për keq në takimin e parë, me mbrojtësin e St. Liege, i cili shkaktoi autogol dhe u ndëshkua me kartonin e kuq më pas. Në këtë mbrëmje, Tunizia do të kërkojë të ndryshojë diçka, pasi në takimin e parë fati ishte në anën e tyre, pasi Mali, dominoi pjesën më të madhe, pavarësisht se nuk ia doli të shënonte, ndaj pritet të jetë një sfidë e hapur dhe me shumë emocione.



