Kualifikueset e Botërorit/ Kanadaja rikthehet pas 36 vitesh. SHBA-të dhe Meksika, një hap larg Katarit
Kanadaja është zyrtarisht në Katar2022, pas triumfit 4-0 përballë Xhamajkës. Larin hapi serinë e golave në minutën e 13-të, ndërsa Buchanan dyfishoi në minutën e 44-ët.
Në fraksionin e dytë vendasit administruan në perfeksion, ndërsa dy golat erdhën në minutat e fundit, në të 83-ën Hoilet trefishoi, ndërsa sfida u mbyll me autogolin e Marriappa në minutën e 88-të.
Kanadaja do të luajë për herë të dytë në historinë e saj në fazën finale të një botërori pas Meksikë 1986.
Në Orlando, SHBA bën detyrën ndaj Panama-s, pas triumfit të thellë 5-1 dhe tashmë janë vetëm 1 pikë larg kualifikimit zyrtar në Katar2022.
Pulisic ishte protagonisti absolut, me sulmuesin e Chelsea-t që zhbllokoi rezultatin nga pika e bardhë në minutën e 17-të, ndërsa Arriola dyfishoi shifrat në të 23-ën. Pas 4 minutash, Ferreira shënoi të tretin, ndërsa pjesa e parë u mbyll me finalizimin e Pulisic, në minutën e 4-ët shtesë, përsëri me penallti.
Në pjesën e dytë Pulisic kompletoi “tripletën” personale në minutën e 65-të, ndërsa, golin e vetëm për Panama-n e realizoi Godoy në minutën e 86-të.
Skenari i vetëm që nxjerr jashtë Katar2022 SHBA-në është humbja në ndeshjen e fundit ndaj Costa Rica-s, me një diferencë prej 6 golash, pra me pak fjalë, SHBA shkon në Katar, me tre rezultate.
Ashtu si SHBA-të, edhe Meksika nuk gabon duke prekur me njërën “këmbë” Katarin, pas suksesit 0-1 në transfertën e Hondurasit. Golin e vetëm të sfidës e realizoi Alvarez në minutën e 70-të. Në ndeshjen e fundit, Meksika do të luajë ndaj El Salvador-it, me këta të fundit jashtë garës, ndaj kualifikimi është thjeshtë çeshtje ditësh për përfaqësuesen meksikane.
Kosta Rika mban në lojë shpresat për një kualifikim direkt në fazën finale të botërorit, pas suksesit 1-2 në shtëpinë e El Salvador dhe pse shpresat janë të vogla. Contreras kaloi në avantazh kostarikanët në minutën e 30-të, ndërsa pa kaluar 60 sekonda vendasit barazuan me Gil. Goli i fitores për Kosta Rika-n u shënua nga Campbell në minutën e parë shtesë të fraksionit të parë. Për të shkuar në Katar, pa “Play-Off”, Kosta Rika duhet të fitojë ndaj SHBA-ve me një diferencë golash +6, diçka shumë e vështirë, por matematika i mban në lojë
Ndeshjet e fundit do të luhen më 31 mars.



