“Kujdes Skukën”, Brdaric: Vllaznia ime plot dëshirë për fitore, baza është mbrojtja
Partizani-Vllaznia është një nga sfidat më të bukura të javës së 21-të në Abissnet Superiore. Dy ekipet e njohura do të përballen mes tyre të shtunën (16:45) në “Air Albania”, ndeshje që do të transmetohet në Supersport 3.
Trajneri i ekipit shkodran, Thomas Brdaric preku disa tema gjatë prononcimit për mediet. Tekniku gjerman vlerësoi ekipin kundërshtar dhe vuri theksin tek ekuilibri dhe mbrojtja, theksoi se fitorja është objektivi i Vllaznisë dhe e mbylli fjalën e tij me një koment për tifozët kuqeblu.
“Kemi shumë dëshirë për t’u përballur në këtë ndeshje të fortë me Partizanin. Jemi plot fuqi dhe kemi shumë dëshirë që t’u shkaktojmë atyre humbjen. Është diçka e mirë që kemi shumë lojtarë që janë të aftë për të luajtur. Ajo që është e rëndësishme për mua është fakti që lojtarët të jenë mirë jo vetëm fizikisht, por edhe në anën mentale, mendërisht të jenë shumë mirë.
Golat? Nesër do të jetë një përballje shumë interesante me Partizanin. Kemi një ekip shumë të aftë për të shënuar gola, por duhet të gjejmë një balancë të mirë mes sulmit dhe mbrojtjes, nesër dhe në çdo ndeshje. Mund të kemi lojë ofensive, por baza është mbrojtja.
Nesër varet çdo gjë nga ne. Të dyja ndeshjet kundër Partizanit kanë qenë shumë të ngushta. Nesër do e bëjnë diferencën detajet. Duhet të fokusohemi dhe të përqendrohemi te gjërat thelbësore. Nëse i lejojmë hapësira, Partizani është një ekip që luan shumë mirë futboll. Ata kanë marrë edhe sulmuesin e ri Skuka, i cili ka shënuar disa gola. Ne duhet të mundohemi të krijojmë raste të shumta shënimi, të mbrohemi mirë dhe të ruajmë fokusin për 90 minuta.
Vllaznia U19 fitoi kundër Partizanit U19 me një gol në minutat shtesë? Është diçka e mirë që edhe të rinjtë fituan. Në fund të ditës i përgëzojmë, sepse ne jemi një skuadër, nuk është vetëm ekipi i parë. Ata kanë shumë rëndësi për ne, jemi të fokusuar te paraqitjet e tyre, ata na shohin neve si shembuj. Ne duhet të bëjmë më të mirën tonë që të marrim një rezultat pozitiv.
Tifozët? Gjithmonë kemi nevojë për tifozët tanë. Ultrasit janë një ndihmë shumë e madhe për lojtarët dhe për ne, i falënderoj për mbështetjen që na japin. Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur që i shohim ashtu, shpresoj që nesër të jemi të aftë të festojmë së bashku”, përfundoi trajneri i ekipit shkodran.
Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?



