Kukësi apo Flamurtari kush do ta rivalizojë Skënderbeun?
Modeli dhe skuadra për tu mundur mbetet Skënderbeu, në fushë dhe menaxhim, kryesues i Kategorisë Superiore me 9 pikë diferencë ndaj ndjekësve me të afërt, organikë të konsoliduar dhe fitimtar gjatë 16 javëve të para ndaj të gjithë rivalëve direktë, por sa mund ta ndryshojë merkato kampionatin, i rrezikuar seriozisht që pa ndonjë rrëshkitje të korçarëve të vritej që në dy fazat e para. Optimizmi nuk mungon, Kukësi edhe pse 12 pikë larg nuk është dorëzuar dhe ato që në fund të 2017 për vazhdimin e luftës për mbrojtjen e titullit tingëllonin thjesht deklarata propogandistike tani janë një e vërtetë e qartë. Ndryshim në gjithë sektorët, duke nisur nga stoli me Peter Pakult, menaxhimi me Nderim Nexhipin drejtor sportiv, merkato shpresëdhënëse me elementë cilësorë dhe optimizën nga rezultatet e miqësoreve turke, barazim me Fenerbahcen, fitore me Kaiserisporin dhe Bursasporin, për koincidencë skuadrën që kishte mposhtur Skënderbeun, lojë sulmuese, gola dhe personalitet. Në lojë është më shumë se gjysma e kampionatit dhe Kukësi do të jetë aty për të luftuar e mbajtur gjallë rivalitetin. Mos harroni Flamurtarin, edhe pse ruajnë një profil të ulët në deklarata, skuadra vlonjate është në vend të dytë, dhe në këtë dimër ka bërë merkaton ndoshta më të mirëmenduar duke i lënë pak ose aspak vend rastësisë. Futbollistë të angazhuar nën kontratë që pa u mbyllur 2017, elementë që njihen nga trajneri Duro, dhe po të shikosh formacionin në miqësore, s’ka të sharë, dhe nëse i hedh një sy formacionit në miqësoret e fundit, është e lehtë të konstatosh se tani luan me 4 sulmues, premtim për më shumë gola në 2018 e padyshim më shumë rezultat e spektakël. Vlonjatët janë aty, edhe pse pa deklarata të forta, të gatshëm për të përfituar për të bërë bumin e madh. Për fatin e keq të apasionuarve pas rivalitetit, vështirë të fusësh në listën e lojës për titull në gjendjen që është sot Partizani, largime masive, probleme dhe afrime me pikatore, me skuadrën e kuqe që endet mes shumë problemesh. Qoftë një paragjykim i gabuar, por për të kuqtë titulli këtë vit duket thjesht një mirazh.



