Kukësi dhe Tirana, Dinamo para një “prove zjarri”
Një fitore me peshë në Korçë për Dinamon. Erdhi në momentin e duhur, pas disfatës në Shkodër dhe zhurmës mediatike që e pasoi, një injeksion vetëbesimi për skuadrën që në ndeshjen me Skënderbeun, pati mbi të gjitha meritën që nuk u zhbalancua, duke i qëndruar besnike strategjisë së saj për të fituar një transfertë delikate që ju kthen bluve humorin e duhur para një turi të vështirë që ju ofron kalendari. Dinamo në sfidën e radhës në kampionat, do të përballet këtë të premte me Kukësin, skuadrën ndoshta më në formë të momentit për sa i përket lojës së shprehur, duke dhuruar një futboll tejet interesant, ndërsa më pas do të ketë 3 përballje radhazi me Tiranën, dy në Kupën e Shqipërisë dhe një në kampionat.
Për blutë do të jetë padyshim një nëntor i zjarrtë me 3 derbi që do të luhen brenda dy javëve me bardheblutë, që për më tepër vijnë në këtë seri me statusin e kryesuesve të kampionatit, dhe pas euforisë së zakonshme që karikon një fitore me rivalët e përjetshëm të Partizanit. Për skuadrën e Bledi Shkëmbit, janë katër sfida që mund të përcaktohen si një provë zjarri me kuptimin e plotë të fjalës, një seri ndeshjesh ku gjithsesi blutë mund të tregojnë edhe potencialin e tyre, për t’i qepur më në fund me meritë vetes etiketën e një skuadre pretendente për të marrë maksimumin, një temë e shumdiskutuar kjo deri më tani në opinionin sportiv.



