Kategoria Superiore

Kukësi dy arsye për fitore, në Gjirokastër luhet mbijetesa, Skënderbeu pret Flamurtarin

Kategoria Superiore është future në një fazë mjaft interesante, pasi ka nisur numërimi mbrapsht për finishin dhe ende nuk janë dhënë verdiktet finale për një sërë objektivash.

Kështu Partizani u ndal dje ndaj Laçit, duke bërë që Kukësi të ketë motivim dyfish sot përballë Teutës, në sfidën që do të luhet në Kamëz, në orën 16:00.

Përveçse është një sfidë direkte për Europën, të besuarit e Ernest Gjokës do të provojnë të fitojnë edhe për t’u afruar më shumë me kreun dhe për të provuar të rihapin garën për titullin kampion.

Nga ana tjetër, përballë është Teuta, një skuadër që në fushë nuk fiton që prej 30 marsit ndaj Kastriotit dhe pas 3 humbjeve radhazi, mori në tavolinë 3 pikët e ndeshjes me Kamzën e përjashtuar.

“Djemtë e detit” do të tentojnë të dalin me pikë të plota përballë Kukësit, për t’u rikthyer në zonën europiane të renditjes, pozitë të cilën e kanë humbur vetëm në javët e fundit.

Një tjetër sfidë mjaft interesante, por këtë herë me objektiv mbijetesën, do të jetë ajo mes Luftëtarit dhe Tiranës, që do të luhet po në orën 16:00, në Gjirokastër.

Të dy skuadrat, bashkë me Kastriotin, po luftojnë për të mos qenë ekipi që do të zbresë një kategori më poshtë, ndaj rezultati në përballjen e sotme do të vendosë shumë edhe në lidhje me këtë garë.

Luftëtari dhe Tirana u përballën edhe të mërkurën në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, por sot ndryshon muzika, pasi veçanërisht bardheblutë, kanë nevojë për pikë të plota, që të mos përsëritin dramën e dy sezoneve më parë.

Në mbrëmje vëmendja do të spostohet në Korçë, ku Skënderbeu do të presë Flamurtarin, njërën prej skuadrave më të forta të momentit në Kategorinë Superiore.

Korçarët e Orges Shehit mbeten në garë për një vend në Europë, ndonëse më së pari duhet të presin verdiktin e CAS-it për t’i lejuar të përfaqësohen, pasi vijojnë të vuajnë pezullimin 10-vjeçar.

Situata ndryshe është te vlonjatët, që përtej problemeve financiare, po luftojnë fort në fushë dhe janë ngjitur me meritë në vendin e tretë, që të çon në Europa League, ndonëse më parë duhet që klubi të licencohet nga UEFA.

Të tre sfidat do të vijnë në ekranin e Supersport, bashkë me emisionin “Gol pas Goli”, ku moderatorja Vilma Masha, bashkë me panelin e gazetarëve dhe specialistëve, do të analizojnë takimet dhe do të sjellin prononcimet e protagonistëve.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency