Kukësi, fjalë “të ëmbla” për Shametin: E ka derën të hapur…
Pas postimit të Shametit, edhe Kukësi zyrtarizon largimin e mbrojtësit gjirokastrit. Fjalë “të ëmbla” për kapitenin, vlerësim maksimal për sjelljen e tij prej profesionisti, por edhe një derë e hapur, për një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen si pjesë e stafit të Kukësit.
Postimi i klubit:
“Futboll Klub Kukësi falënderon Ylli Shametin për kontributin e dhënë me fanellën tonë.
Gjatë 6 viteve me skuadrën kuksiane, ku shumicën e kohës si kapiten, qendërmbrojtësi ka qenë një nga futbollistët më profesionistë në historinë e Klubit, si brenda ashtu dhe jashtë fushës së blertë.
35-vjeçari me skuadrën tonë arriti të fitonte titullin kampion, 2 herë Kupën e Shqipërisë si dhe Superkupën.
Në arenën ndërkombëtare ka luajtur rol kyç, pasi ka ndihmuar ekipin në kualifikimet europiane.
Me klasin dhe karakterin e tij prej lideri, ai iu ka dhënë gjithmonë motiv bashkëlojtarëve, duke e çuar ekipin drejt sukseseve.
“Mbreti” i topave në ajër dhe shpeshherë autor golash, gjirokastriti do të jetë gjithmonë në zemrat dhe mendjet e kuksianëve.
Një profesionist si Ylli Shameti do ta ketë gjithmonë derën e klubit hapur, edhe si pjesë e stafit teknik.”




