Kategoria Superiore

Kukësi “fut marshin e pestë”, përgatit parakalimin e Tiranës

Vetëm një pikë larg kreut dhe tani në nisje të fazës së dytë, Kukësi sheh larg dhe tani me të drejtë beson te titulli kampion. Fitorja ndaj Egnatias ishte një tregues real, që verilindorët nuk nënvlerësojnë askënd, madje dhe pas një suksesi si ajo e Shkodrës, ndaj Tiranës.

Në dy javët e fundit të kampionatit, skuadra e Diego Longos ka ndryshuar kurs, duke lënë pas eliminimin në kupë dhe më kryesorja duke zvogëluar ndjeshëm diferencat në renditje, tani më, vetëm një pikë larg bardhebluve.

Kukësi deri tani në 10 javë kampionati ka treguar se di të fitojë, por gjithashtu ka treguar se di të reagojë edhe pas paraqitjeve jo të mira. Deri tani, Kukësi ka zhvilluar 14 ndeshje, 10 në kampionat dhe 4 në kupë, ndërsa ka shënuar në 13 prej tyre, duke shënuar në çdo sfidë të kampionatit, me përjashtim të takimit ndaj Maliqit, ndeshja e parë në kupë që u mbyll 0-0.

Kukësi jo vetëm shënon rregullisht, por është një skuadër që në fushën e lojës argëtohet dhe dhuron spektakël, duke treguar vazhdimisht se është në gjendje të dominojë çdo kundërshtarë. Nuk është aspak rastësi, pasi në skuadër, Longo dhe Kukësi kanë në përbërje 2 nga 4 sulmuesit më të mirë te kampionatit, golashënuesin kroat Edi Basa dhe serbin Luka Milunovic.

Të dy lojtarët kanë shënuar më shumë se gjysmën e golave në këtë sezon, 10 të tillë, pasi deri më tani Kukësi numëron 19 gola, sulmi më i mirë i kampionatit së bashku me Tiranën. Është një fakt, sa herë që Basa apo Milunovic shënojnë, Kukësi merr pikë, madje, 6 të fundit kanë ardhur pikërisht nga kjo dyshe.

Vetëm 3 humbje në këtë sezon, dy në kampionat, ndaj Teutës dhe Skënderbeut, ndërsa disfata tjetër ishte ajo përballë Egnatias në kupë. Padyshim që eliminimi nga kupa nuk lë një shije të mirë, por nga ana tjetër i jep frymëmarrje skuadrës së Diego Longos për t’u fokusuar vetëm në kampionat.

Kukësi ishte skuadra që në fazën e parë kishte dominuar kundërshtarët sa i përket qarkullimit të topit dhe këtë e tregojë përsëri ndaj Egnatias, në javën e parë të fazës së dytë.

Ky sezon është premtues dhe këtë e tregojnë shifrat. Një vit më parë, pas 10 javëve të para, Kukësi numëronte 5 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje, madje në 5 ndeshje nuk kishte gjetur recetën e golit, por në këtë edicion, verilindorët kanë ndryshuar totalisht fytyrë, duke hedhur kandidaturën për titull.

5 vite pritje janë shumë për një skuadër që në sezonet e fundit i ka dhënë “tonin” e duhur kampionatit, por 5 vite mund të duken pak, nëse Kukësi do të jetë në gjendje të ruaj ritmin dhe të përballojë çdo sfidë që kampionati do t’i rezervojë si brenda edhe jashtë fushe.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency