Kukësi humbet miqësoren me Korabin, Milinkovic i pakënaqur
Krizë rezultatesh apo nënvlerësim i kundërshtarit?! Kukësi mposhtet me rezultatin minimal 1-0 në miqësoren ndaj Korabit. Për trajnerin e verilindorve, Mladen Milinkovic, takimi i shërbeu atij për të parë gjendjen fizike të disa lojtarëve, por edhe për të aktivizuar ata që nuk kanë patur shumë minuta në dispozicion.
“E zhvilluam këtë takim miqësor për të parë gjendjen fizike të disa lojtarëve që vinin nga dëmtimet, por edhe të atyre që nuk kanë patur shumë minuta në dispozicion. Nuk jam i kënaqur me rezultatin, por as me performancën e disa futbollistëve. Prisnim që të fitonim dhe të ishim gati për Kamzën.”
Kukësi e sheh veten në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit, me 7 pikë distancë nga Skëndërbeu kryesues. Për teknikun, një pjesë e fajit është vetë verilindorëve, që u kanë dhënë mundësi korcarve të shkëputen.
“Në fazën e parë kemi bërë gabime dhe i kemi dhënë mundësi Skëndërbeut të shkëputet me një diferencë pikësh të konsiderueshme. Deri në fazën dimërore nuk duhet të bëjmë asnjë gabim, që Skëndërbeu të mos shkëputet më tepër. Presim që në fazën e dytë, duke filluar që nga takimi me Kamzën, të mbledhim sa më shumë pikë.”
Nëse do të kishte një titull kampion për skuadrën që ka shkarkuar më shumë trajnerë, ai do të shkonte pa dyshim për Kamzën. Nga skuadra debutuese e kanë pësuar Iuliano, Curbello dhe Cungu, por MIlinkovic e eviton me diplomaci pyetjen, nëse ai mund të jetë emri i radhës në listën e të shkarkuarve, në rast të një hapi të gabuar.
“E kam thënë gjithnjë, që, kur mungojnë rezultatet, peshën kryesore e ka trajneri. Nëse një trajner ka frikë nga shkarkimi, atëherë nuk është për këtë punë. S’ka rëndësi se kush do të jetë kundërshtari për ne, por rezultatet pozitive.”



