Kategoria Superiore

Kukësi–Laçi gjithmonë një finale për ekipet

Në Zeqir Ymeri java e 21-të propozon një nga duelet më të nxehta të kampionatit, pasi Kukësi kampion në fuqi pret Laçin, një rival me të cilin është ndeshur shpesh sidomos në Kupën e Shqipërisë, aty ku kanë nga një triumf për secilën skuadër. Ndryshe nga edicioni i kaluar, skuadrat vijnë në këtë ndeshje me të njëjtin objektiv, të sigurojnë fitoren që e afron akoma më shumë me zonën europiane. Kampionët e nisën edicionin me ambicie të mëdha, për të ruajtur titullin ndërkohë që kurbinasit për të qënë surpriza e këtij sezoni. Megjithatë gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç ishin parashikuar. Laçi humbi trajnerin Stavri Nica pikërisht pas duelit të fazës së parë në Zeqir Ymeri, pasi humbja 3-0 nuk u kapërdi nga ish timonieri bardhezinjve që dha dorëheqjen nga drejtimi. Nica u pasua nga Gentjan Mezani që diti të ringrejë Laçin, por pa mundur dot të ndalë ecurinë negative ndaj Kukësit që e mposhti në shtëpi edhe në fazën e dytë. Kampionët kthehen në kështjellën e tyre që tashmë po rezulton prej rëre, pasi stadiumi i tyre ka humbur statusin e dikurshëm, me Kukësin që ka pësuar 5 nga 6 humbjet sezonale pikërisht përpara publikut të vetë. Të dy ekipet vijnë në këtë duel me nga një mungesë të sigurtë, pasi kampionët janë pa Bakajn ndërsa kurbinasit pa Fangajn, të dy të ndëshkuar me karton të kuq javën e kaluar. Diferenca midis tyre në klasifikim është dy pikë, por nuk është ky fakt që e bën të rëndësishme këtë duel, pasi edhe kur skuadrat janë të distancuara, Kukësi–Laçi ka gjithmonë rivalitet, shihet si një finale midis tyre.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency