Kukësi, “macja e zezë” e Laçit, por kurbinasit japin shenja jete
Agjërimin e fitoreve kundër Kukësit nuk e mbylli as entuziazmi i kualifikimit në finalen e Kupës. Laçi has në një bllokadë psikologjike kur përballë ka blutë veri-lindorë. Suksesi në kampionat mungon nga shkurti i vitit 2015 dhe duke parë që në këtë sezon nuk do ta ketë më si kundërshtar Kukësin, ky argjërim do të zgjasë të paktën deri në shtator.
Megjithatë në sfidën e fundit, kurbinasit u përpoqën shumë për ta thyer këtë mallkim personal dhe në disa momente i shkuan pranë , por ishte poriteri i kampionëve në fuqi Stivi Frashëri ai që i pengoi të realizonin. Duket se bardhezinjtë kanë dalë nga ajo periudhë e errët dhe megjtihëse fitorja në kampionat mungon prej 4 javësh, loja e parashtruar nga të besuarit e Mezanit e shton optimizmin për javët e mbetura, pyetja është ku do të fokusohet Laçi në muajin e fundit të këtij edicioni?! 6 javët e mbetura mund ta dërgojnë në vendin e 4-ët ose akoma më mirë në pozicionin numër 3, pra me pjesmarrjen në Europë që do të ishte një arritje me vlera absolute sidomos po të llogaritet fakti që kurbinasit e nisën si një prej skuadrave kandidate për t’u larguar nga Superjorja, megjithatë ka një tjetër objektiv në tryezë skuadra laçiane që është triumfi në Kupë që gjithashtu do të dhuronte një vend në Europa League. Si do t’i shpërndajë forcat trajneri Mezani, do të synojë të dërgoj në kasafortë një vend në Europë nëpërmjet kampionatit duke rrezikuar që ne finalen e Kupës të shkojë me energji të reduktuara, apo do ta kalojë në plan të dytë kampionatin dhe do të përqëndrohet vetëm tek finalja e Kupës, kjo zgjedhje i takon teknikut vlonjat , mbase mund të vendoset edhe për opsionin numër 3, forcë maksimale në të dyja kompeticionet, megjithëse është një opsion që në fund mund të të lërë edhe me duar bosh.



