Kukësi me “bilanc lufte” në “Niko Dovana”, Teuta me frikën “play out”
Teuta – Kukësi nën dritën e prozhektorëve në të premten e Superiores. Sfida mes dy skuadrave në luftë të plotë për objektivat në këtë finale të sezonit. Në javën që mund të sjellë stafetën e titullit te Tirana, Teutës i duhet një sukses në “Niko Dovana”, për të mos lejuar parakalimin e Egnatias dhe për të evituar një vend të 8-të, që të çon në play out, diçka përveçse e sikletshme, do të ishte edhe një telash jo i vogël për kampionët në fuqi.
Kukësit, ndërkohë, pa fitore prej 5 ndeshjesh (4 barazime dhe 1 humbje), i duhet të rikthehet te 3-pikëshi për të ruajtur vendin e tretë, me garën për Europën që është bërë jashtëzakonisht intriguese në një front ku mund të hedhë kandidaturën e tij edhe Kastrioti. Vetëm 2 gola të shënuar në 5 ndeshjet e fundit është një statistikë që dhemb për skuadrën e Diego Longos, që shkëlqeu në dy fazat e para pikërisht falë sulmit, ndërkohë që për këtë sfidë teknikut italian i duhet të bëjë llogaritë me një “bilanc lufte”. Vitor Feijao, Bruno Lulaj, Shqiprim Taipi u ndëshkuan me kartonë të verdhë ndaj Laçit dhe janë të skualifikuar. Artiom Puntus u dëmtua në sfidën e fundit me klubin që komunikoi se sulmuesi e ka mbyllur sezonin, po ashtu si dhe Tafas, ndërsa edhe Vasil Shkurtaj nuk është i gatshëm.
Në krahun tjetër, Renato Arapi nuk ka në dispozicion vetëm Ledio Beqjen, edhe ai i skualifikuar për grumbullim kartonësh, ndërkohë që mund të mbështetet për pjesën tjetër te një grup i plotë.
Fitorja ndaj Dinamos ka rikthyer pak qetësi në kampin bregdetar, ku gjithsesi nuk mund të qëndrojnë të qetë me situatën e komplikuar në zonën e poshtme të klasifikimit. Teuta nuk ka humbur asnjë nga 3 përballjet sezonale me Kukësin, ku janë sigluar dy barazime dhe një sukses i formacionit dursak.



