Kukësi pa “busull”, sezon totalisht i dështuar!
“Ku po shkon karroca e dylit“ një shprehje prej vitesh pjesë e folklorit popullor te Shqipërisë së mesme, madje e përfshirë edhe në tekstet muzikore, por që po i përshtatet një skuadre e cila është me qera në kryeqytet, por që ADN e ka nga veri-lindje të vendit, Kukësit. Në Laç erdhi disfata e tretë rradhazi, edhe pse në tërësi ekipi blu u mundua të bënte diçka duke mbizotëruar me pasime, në fund rezultati 2-0 është përcaktues i gjithçkaje. Në 3 javët e fundit skuadra e Mirel Josës, jo vetëm është gjunjëzuar 3 herë, por ka pësuar 8 gola duke mos shënuar asnjë. Vetëm një fitore ajo 0-3 ndaj Kastriotit më 10 prill në 12 ndeshjet e fundit në kampionat janë treguesi i një dështimi të paprecedentë të Kukësit në epokën e re me Gjicin president.
Eze dhe Ibraimi janë dy golashënuesit e kampionatit, një meritë e skuadrës por edhe e 2 individëve, e megjithatë blutë kanë sulmin e 4-t të kampionatit e jo të parin. Skuadra tashmë duket përtej vijës se kthimit, dhe sezoni zhgënyes është një fakt, megjithëse ende nuk ka përfunduar, për fatin e keq të bluve. Nëse ashtu si po duket nga jashtë, ky ekip nuk do te ketë më forcë e dëshirë, nuk është çudi që Kukësi të mos fitojë më asnjë ndeshje deri në fund. Vetëm kaq duhet të rikujtoni …Kukësi e nisi për kampion…, por po te mos ishte për ndalesat e shpeshta të Bylisit e Kastriotit tani do e shihte veten buzë greminës së thellë.



