Kukësi pa ekuilibrin e duhur, s’di të adminstrojë epërsinë
Ka diçka që nuk shkon me Kukësin. Një humbje në Gjirokastër ndaj Luftëtarit është e pranueshme, por mënyra sesi erdhi është një faktor për të shqetësuar trajnerin Pacult. Kukësi pëson dhe, mbi të gjitha, e ka të vështirë të administrojë rezultatin.
Ndaj Luftëtarit ishte hera e dytë brenda pak javëve që skuadra verilindore pëson rikuperimin apo përmbysjen e kundërshtarit, duke u futur pa frymën e duhur në pjesën e dytë, diçka që ndodhi dhe në përballjen e “Zeqir Ymerit” me Skënderbeun, që u rikthye nga disavantazhi i dy golave për ta barazuar ndeshjen me Ali Sowe. Golat e pësuar janë një “handikap” më vete. Ndaj Teutës e madje dhe ndaj Lushnjës, fitoret i kanë bërë disi makiazhin brishtësisë në mbrojtje, por kanë qenë të gjitha fitore të vuajtura.
Kukësi i shënon golat e tij, ka shënuar të paktën një gol për ndeshje në 5 nga 6 takimet e fundit, Pacult i ka dhënë skuadrës efikasitet në manovrën sulmuese, por skuadra vuan për të gjetur ekuilibrat e duhur dhe mbi të gjitha për ta luajtur të gjithë ndeshjen me të njëjtin ritëm e përqëndrim.
Ndaj Luftëtarit një 30-minutësh “blackout”-i në nisjen e pjesës së dytë, të cilës e ka të vështirë t’i japë shpjegim edhe Pacult, diçka që ka ndodhur edhe me skuadra si Teuta apo Lushnja, ku për të mbuluar problemin kanë shërbyer si makiazh golat e Sindrit Gurit. Ndaj Vllaznisë, sulmuesi më në formë i momentit, do të mungojë, pasi është i skualifikuar për grumbullim kartonësh. Pacult duhet të gjejë një zgjidhje.



