Kukësi, pauza e bekuar, kohë për të “shëruar” plagët
Shoqata e Arbitrave vendosi të bojkotonte kampionatin deri në momentin kur policia të rikthehet brenda perimetrit të stadiumit, një klub ia ktheu me mirënjohje këtë vendim “faleminderit për ndërprejen e kampionatit”.
Natyrisht që Kukësi nuk ka dalë me një falënderim zyrtar, por e sigurt që këtë kanë menduar të gjithë në kampin blu.
Ndërprerja e Kategorisë Superiore ka ardhur si bekim për trajnerin Armando Cungu. Nëse do të luhej të premten kundër Skënderbeut, gjasat ishin të shumta që nënkampionët të zbrisnin pa kapitenin dhe liderin e repartit të mbrojtjes, Ylli Shameti, gjithashtu nuk do të ishin të gatshëm Cuculi, Rrumbullaku e William Cordeiro, në dyshim ishte edhe prania e Valdet Ramës.
Tashmë duket se situata nuk do të jetë e njëjtë në momentin kur verilindorët të sfidojnë kampionët e Shqipërisë në datën e re që do të përcaktojë sektori i garave. E sigurt është që Shameti do jetë rikuperuar nga problemet në aduktorin e këmbës së djathtë, gjithashtu Cordeiro pritet që për pak ditë të heqë stabilizuesin me allçi në dorën e frakturuar dhe mund të zbresë në fushë, ndërsa edhe Valdet Rama do jetë riaftësuar nga problemet në muskujt e qafës.
Përveç emrave të sipërpërmendur kjo pauzë i shërben edhe Vasil Shkurtajt, i cili ka luajtur me një protezë në dorën e djathtë dhe Reginaldo, i cili ka ende një hematomë në kokë. Në këtë rast, Kukësi u “puth” nga fati, sepse dueli ndaj Skënderbeut mund të jetë vendimtar për objektivat e bluve.



