Kukësi sfidon Kastriotin në transfertë, synohet rikthimi te fitorja
Kastrioti – Kukësi është një prej sfidave më interesante e javës së 29-të në “Abissnet Superiore”. Në Kamëz do të vendosen përballë dy skuadra totalisht të kundërta, në formë dhe objektiva. Tri pikët janë misioni i përbashkët, me krutanët që do të kërkojnë të ruajnë ecurinë dhe statusin e skuadrës më në formë të kampionatit, ndërsa verilindorët janë “të dënuar” për të ndryshuar kurs, pasi suksesi i fundit duket si një kujtim i largët.
Kastrioti vjen pas një suksesi shumë të rëndësishëm përballë Dinamos, ndërsa në katër javët e fundit nuk ka humbur asgjë, duke koleksionuar 12 pikë dhe duke u shkëputur nga zona e ftohtë dhe tani kërkon konfirmimin dhe jo vetëm, por edhe për t’u kapur fortë pas vendit të gjashtë në klasifikim. Në krahun tjetër, skuadra e Diego Longos është përsëri forcë e tretë në kampionat dhe pse në javët e fundit ka stonuar, me tre barazime radhazi, por zona europiane është ngjeshur dhe tani gabimi më i vogël kushton shumë, duke ditur se rruga e vetme për Kukësin që sezonin tjetër të prek Europën është vetëm kampionati.
Gjelbrim Taipi do të jetë mungesa e sigurt për Longon në këtë sfidë për shkak kartonash, me kapitenin i cili do të mungojë ndaj krutanëve. Diferenca midis të dyja skuadrave në nisje të fazës së tretë ishte e frikshme, por tani, të dyja skuadrat ndahen me vetëm 11 pikë në klasifikim, ndërsa përballë do të jenë dy nga mbrojtjet më të mira në javët e fundit, me skuadrat që kanë pësuar vetëm 2 gola në këto pesë ndeshjet e fundit.
Emiliano Çela dhe Kastrioti do të kërkojnë gjithashtu pikët e para ndaj këtij kundërshtari, me Kukësin që jo vetëm ka fituar në tre ndeshjet e para sezonale, por edhe i ka shkaktuar shumë “dëme” mbrojtjes së Kastriotit. Në tre fazat e para, Kukësi numëron nëntë pikë dhe 13 gola të shënuar në portën e krutanëve (3-1, 6-1, 4-0), ndërsa në krahun tjetër Kastrioti krenohet me dy rrjeta, me autorë Arbër Basha dhe Marin Mudrazija.
Kukësi nuk dominon vetëm në këtë sezon, pasi në 18 ndeshjet e fundit midis të dyja skuadrave, verilindorët kanë fituar 14 prej tyre, ndërsa Kastrioti ka shijuar suksesin e plotë në katër raste.



