Kukësi-Skënderbeu, për një trofe që shpëton sezonin
Kukësi-Skënderbeu, raundi i parë i gjysmëfinaleve të Kupës të një çifti favorit për trofeun. Shpëtimi i sezonit për verilindorët, që kanë vetëm një minimum shansesh teorike në kampionat, ashtu edhe për kampionët në fuqi, që tanimë kanë abdikuar në favor të Partizanit. Një 90-minutësh për t’u luajtur me llogaritë specifike të Kupës. Kukësi e luan të parën në shtëpinë e improvizuar në Kamëz dhe i duhet të krijojë premisa të mira për takimin e kthimit, edhe pse Ernest Gjokës i duhet të përballet me një bilanc të ngjashëm me atë të një lufte sa i përket mungesave.
Nuk do të ketë, jo pak, por 5 futbollistë. Mungon sërish kapiteni Shameti, aq i nevojshëm, sidomos në ndeshje të tilla, peshon shumë edhe mungesa e Valdet Ramës, një lojtar që bën diferencën dhe mund ta vendosë ndeshjen në një episod të vetëm, ndërkohë që listës i shtohen edhe William Corediero i skualifikuar, e Maliqi me Krasniqin. Do të mund të jetë vetëm në stol Irakli Dzaria.
Trajnerit i duhet të improvizojë, me shumë mundësi duke tërhequr Arbër Cyrbjen në mbrojtje, ndërsa skema pritet të jetë e njëjta që i dha suksesin me Tiranën, një 4-4-1-1, me Reginaldon dhe Shkurtajn para, në një dyshe që po funksionon, me mozambikasin në volum të konsiderueshëm dhe vlonjatin në dygolësh në takimin e fundit.
Skënderbeu, në krahun tjetër, thirret për reagim. Dukshëm larg shkëlqimit të viteve të shkuara, skuadra vuan një sezon oshilacionesh, ndoshta edhe si pasojë e ndikimit psikologjik të zhvillimeve në Lozanë. Nga fitorja 4-0 me Kastriotin, tek humbja 1-0 në Laç, është një Skënderbe luhatjesh të frikshme që në këtë ndeshje i duhet të transformohet në versionin më të mire, për të hedhur një hap drejt finales.
Orges Shehi pritet të ketë të gatshëm Muzakën, ndërkohë që mungesat në kampin korcar janë ato të Shqiprim Taipit dhe Bruno Lulajt. Diçka më shumë se një muaj më parë, korçarët fitonin 1-0 në kampionat, duke u dhënë një goditje të fortë shpresave të Kukësit në luftën për titull, këtë herë do të duhet i njëjti shpirt dhe e njëjta forcë për të mos kompromentuar rrugën e vetme drejt Europës, në pritje të një lajmi të mirë nga Lozana.



