Kategoria Superiore

Kukësi – Vllaznia, sfida e nostalgjisë dhe hakmarrjes!

Në botën e futbollit sfidat e ish-ëve janë të shpeshta, e aq më tepër ndoshta kur rrethi ngushtohet në një kampionat si ai i Kategorisë Superiore. Por përballja e kësaj jave mes Kukësit dhe Vllaznisë është pa dyshim e vecantë. Këtë të diel, në “Zeqir Ymeri”, mund të ketë vend për pak nostalgji, përballje me të kaluarën e pse jo edhe ndonjë mllef apo dëshirë për hakmarrje. Duke nisur nga Ernest Gjoka, tekniku kthehet aty ku siguroi arritjen më të madhe të karrierës, titullin e parë kampion të Kukësit. Ndarja me Gjicin, pas asaj penalltie të humbur nga Pejic në eleminatoret europiane, nuk ishte nga më të mirat, pa diskutim që Gjoka është ndier i pavlerësuar nga klubi, me tifozët kuksianë marrëdhëniet kanë qenë të shkëlqyera, i kanë dalë në krah edhe në rastin e largimit, por tani i duhet të mendojë për Vllazninë e ndoshta t’i tregojë Gjicit se sa vlen, nga krahu i kundërt.

Duhet të jetë një përballje e vecantë edhe për Ndricim Shtubinën. Kur nisi karrierën në vitin 2006 në klubin e qytetit të tij, as në ëndrrat më të shfrenuara nuk mund të kishte imagjinuar se një ditë do të luante kundër Vllaznisë me Kukësin, emër që atëkohë nuk figuronte në gjeografinë e rëndësishme të futbollit shqiptar. Mbi 230 ndeshje me fanellën kuqeblu, 38 gola të shënuar e besnikëri pafund edhe kur nga skuadra shkodrane iknin të gjithë. Verën e kaluar pa t’i refuzoheshin cuditërisht kërkesa që për dikë me kontributin e tij kudo tjetër do të konsideroheshin normale. Kukësi i hapi dyert dhe tani, nëse Milinkovic i jep një shans, do t’i duhet të bëjë profesionistin kundër skuadrës ku ka kaluar një jetë.

Vera apo më saktë pranvera e kaluar ishte e pazakontë edhe për Edon Hasanin. I larguar nga Kukësi pas një diskutimi me Gjicin (zyrtarisht ishte një zgjidhje konsensuale e kontratës), Hasani iku me keqardhjen që nuk e lanë të festonte atë fundkampionati, dicka për të cilën në fund të fundit kishte kontribuar dhe ai, titullin e parë kampion në historinë e Kukësit. 25-vjecari motivet preferoi t’i ruante për vete, pa ngjallur shumë polemika, por këtë të diel, pas ribashkimit me Gjokën te Vllaznia, do të ketë dhe ai rast për të folur në fushë…

Radha e gjatë e ish-ëve nuk mbaron këtu, por me të tjerë protagonistë për të cilët ndarja ka qenë një proces normal i rrugëtimit të një profesionisti. Bakaj, vendimtar në sigurimin e mbijetesës shkodrane vitin e kaluar, tani vështirë se mund të ketë nostalgji. Mund ta ndiejë më tepër një shkodran si Sidrit Guri, i rritur në fidanishten e Vllaznisë, ndërsa për kuksianin Hallaci janë ndoshta më pak sugjestionuese kujtimet e sezonit 2009-2010, kur ishte pjesë e shkodranëve. Futbolli është i tillë, ndonjëherë të përball edhe më të kaluarën, me nostalgjinë apo dëshirën për hakmarrje, pjesë e një loje pasioni.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency