Kumbulla përfaqëson Romën në Vatikan, takim me Papën për “Ndeshjen e Paqes”
Marash Kumbulla ka qenë prezent ditën e djeshme në Vatikan, aty ku skuadra e Romës dhe Lazios janë takuar me Papa Francesco, i cili shprehu mbështetjen për futbollin. Mbrojtësi i kombëtares, së bashku me drejtorin Francesco Pastorella ishin dy përfaqësuesit e Romës, ndërsa prezent për të përfaqësuar Lazion ishin presidenti Claudio Lotitto dhe sulmuesi Ciro Imobile.
Sakaq, në ceremoni mori pjesë edhe Ciro Ferrara, ish-lojtar i Napolit dhe Juventus. Qëllimi i kësaj vizite në Vatikan tek Papa, ishte promovimi i “Ndeshjes së Paqes” më datë 14 nëntor në Olimpico, në një sfidë në të cilën do të jenë të ftuar shumë yje aktualë por edhe të së kaluarës me motivin “Ne Luajmë për Paqen”.
Në fjalën e tij, Marash Kumbulla theksoi nevojën urgjente për të dërguar mesazhe paqeje në një moment të vështirë për Europën, por edhe Botën si pasojë e konfliktit Rusi-Ukrainë. Ndërkohë, eventi i sivjetshëm në Olimpico do të jetë i veçantë edhe për të kujtuar në praninë e fëmijëve të tij, Diego Armando Maradonën, i cili ka qenë një mbështetës i madh i kësaj nisme.



