Featured

Kupa e Italisë vjen në mesjavë në SuperSport, trofeu i lakmuar në Apenine

Këtë mesjavë rikthehen sfidat e Kupës së Italisë dhe 16 skuadrat e mbetura do të fillojnë përballjet e fazës së 1/8 në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm në vend. Bëhet fjalë për një sezon jubilar në këtë aktivitet, pasi edicioni i sivjetshëm është i 75-ti në historinë e Kupës së Italisë.

Interi shfaqet përsëri si ekipi për t’u mundur në Apenine dhe çështja e titullit në Serinë A, të paktën për momentin, duket se do të përcaktohet nga beteja në distancë e zikaltërve me rivalët e urryer të Milanit, kështuqë Kupa e Italisë ngjan vërtet si një mundësi shumë e mirë edhe për gjithë skuadrat e tjera për të fituar një trofe.

Natyrisht në gadishull ka klube si Napoli, Lazio dhe Atalanta që do të kenë impenjimet e tyre edhe në Europa League, apo gjithashtu edhe një skuadër si Roma që konsiderohet si favorite për të triumfuar në Ligën e Konferencës, sidoqoftë është e qartë që Kupa e Italisë në njëfarë mënyre mund të mjaftojë për gjithë këto ekipe për të justifikuar sezonin.

Në dhjetë vitet e fundit ia kanë dalë mbanë për të shënuar emrin në listën e fituesve të këtij kompeticioni vetëm tri ekipe dhe gjëja që bie në sy menjëherë në librin e artë të Kupës së Italisë është se përgjatë dekadës së fundit në këtë aktivitet mungojnë pikërisht dy skuadrat milaneze. Juventusi ka fituar 5 nga 10 trofetë e fundit të Kupës së Italisë dhe bardhezinjtë përfaqësojnë pikërisht klubin më të suksesshëm në këtë kompeticion, që nga koha kur krerët e futbollit italian vendosën të ndryshojnë strukturën e këtij aktiviteti, duke i zhvilluar ndeshjet finale me thjeshtë një takim.

Që nga viti 2008 e deri në sezonin e parafundit 2019-20 të gjitha finalet u organizuan në Stadiumin Olimpik të Romës, ndërsa edicionin e fundit, pas plot 13 finaleve radhazi në “Qytetin e Përjetshëm”, takimi përmbyllës u luajt në Reggio Emilia, në Mapei Stadium, impiantin ku zhvillon ndeshjet ekipi i Sassuolos dhe ku më 15 majin e kaluar, pas fraksionit hapës të mbyllur në barazim me gola, pothuajse çerek ore para përfundimit Federico Chiesa realizoi golin e fitores, duke i dhënë kështu suksesin 2-1 Juventusit. Në këtë mënyrë bardhezinjtë koleksionuan për herë të pestë në shtatë edicionet e fundit kompeticionin e dytë më të rëndësishëm në gadishull, për t’u shkëputur kështu akoma më tepër nga klubi i Romës, që ndjek nga prapa me pesë trofe më pak.

Përgjatë dekadës së fundit kanë bërë mirë në këtë aktivitet edhe Napoli me Lazion që kanë fituar respektivisht nga 3 dhe 2 Kupa Italie, gjithsesi në finale gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit në këtë kompeticion janë alternuar edhe ekipe si Roma, Fiorentina, Milan apo dhe Atalanta, madje klubi bergamask ka humbur dy finale në tri vitet e fundit, duke llogaritur edhe disfatën në sezonin 2018-19, kur në kryeqytet triumfuan bardhekaltërit e Simone Inzaghit, falë dy golave të shënuar në tetë minutat e fundit të takimit nga Sergej Milinkovic – Savic dhe Joaquin Correa. Pra Atalanta vazhdon të krenohet me trofeun e fituar në 1963 e largët, ndërkohë në krye “Zonja e Vjetër” përfaqëson klubin e vetëm me dy shifra në librin e artë të këtij aktiviteti.

Në fakt verdhekuqtë ia dolën për t’I barazuar bardhezinjtë që në 2008, por që nga ajo kohë Roma ka mbetur në vendnumëro, në kuotën e 9 trofeve, ndërsa nga viti 2015 ekipi i Juventusit përfaqëson sërish klubin më të sukseshëm të këtij kompeticioni, me plot 14 Kupa Italie gjithsej. Interi dhe Lacio ndjekin nga prapa me nga 7 trofe, Napoli dhe Fiorentina e kanë fituar Kupën e Italisë nga 6 herë, ndërsa Milani me Torinon numërojnë nga 5 suksese.

Me ndryshimin e formulës tani gjithçka është bërë më e bukur dhe me një strukturë të tillë duke pasur parasysh reduktimin e ndeshjeve sigurisht ky aktivitet vlerësohet akoma më shumë, sepse fazat e ndryshme zhvillohen me sfida teke dhe i vetmi tur që luhet me ndeshje vajtje – ardhje është raundi gjysmëfinal. Në edicionin e 75-të organizatorët përfshinë vetëm 44 ekipe në total: 20 nga Serie A, 20 nga Serie B dhe 4 nga Seria C. Bëhet fjalë për skuadra si Avellino, Catanzaro, Padova dhe Sudtirol, sidoqoftë që të gjitha skuadrat e kategorisë së tretë u eliminuan që në fazën hapëse të këtij kompeticioni. Në raundin e parë morën pjesë 12 ekipe nga kategoria elitare e futbollit italian Serie A, ku surpriza e vetme erdhi nga përballja Bologna – Ternana, duel ku kuqeblutë u mposhtën brenda në Stadiumin Dall’Ara pas gjuajtjeve të 11-metërshave, ndërsa në turin e dytë Serie A humbi gjithashtu edhe Spezia-n, që u eliminua në shtëpi nga Lecce si dhe skuadra si Salernitana, Verona e Torino që në mesin e muajit dhjetor u mundën me radhë në duele të drejtpërdrejta  përkatësisht nga kundërshtarë si Genoa, Empoli dhe Sampdoria.

Shorti I hedhur që më herët ka përcaktuar qartë edhe rrugën që duhet të përshkojë çdo ekip deri në finalen e madhe të 11 majit në Stadio Olimpico të Romës. Në fazën e 1/8 kuptohet hyjnë në valle gjithashtu edhe shtatë skuadrat që përfaqësuan Italinë në Kupat e Evropës, bashkë me ekipin e Sasuolos, që e mbylli kampionatin e kaluar në vendin e tetë. Lecce përfaqëson klubin e vetëm nga Serie B, ndërkaq futbollisti i përfaqësueses kuqezi, Nedim Bajrami, ka realizuar dy gola dhe konsiderohet si një ndër golashënuesit më të mirë të këtij edicioni, pasi i vetmi lojtar që ka shënuar më tepër, pra tre gola është futbollisti i Empolit, Leonardo Mancuso.

Faza e 1/8 nis të mërkurën pasdite me sfidën Atalanta – Venezia, që do të luhet në Bergamo në orën 17:30, ndërsa të enjten në mbrëmje kalendari vijon me ndeshjet Napoli – Fiorentina dhe Milan – Genoa që do të luhen respektivisht në orën 18:00 dhe 21:00. Cifti Napoli – Fiorentina përfaqëson edhe duelin më të fortë të kësaj faze, gjithsesi kuptohet klubet që e përfunduan kampionatin e kaluar në Serinë A brenda tetë pozicioneve të para do të kenë privilegjin e faktorit fushë, ndërkaq pesë takimet e fundit Lazio – Udinese, Juventus – Sampdoria, Sassuolo – Cagliari, Inter – Empoli dhe Roma – Lecce do të zhvillohen javën e ardhshme në datat 18-19-20 janar.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency