Kupa e Shqipërisë/ Derbi pa fitues, Partizani shpërdoron shumë ndaj Dinamos (VIDEO)
Barazim 1-1 mes Dinamos dhe Partizanit në çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë. Tedi Cara përfitoi nga një gafë e Simon Simonit dhe kaloi “Demat” në avantazh në minutën e 24-t.
Skuadra e Bledi Shkëmbit reagoi dhe gjeti golin e barazimit dy minuta përpara fundit të pjesës së parë. Patrik Bardhi u frenua në mënyrë të parregullt nga Belica dhe kapiteni Agim Ibraimi dërgoi topin në rrjetë.
Partizani u shfaq më kërkues në fraksionin e dytë të takimit. Esat Mala kishte dy mundësi të mirë, teksa Simoni i hoqi Sherif Kallakut golin e parë me ekipin e ri.
Ibraimi tentoi nga ana tjetër, por Alban Hoxha priti në dy kohë. Në fund drithërima për Dinamon pas rasteve të Kallakut dhe Kotes. Përfundimisht 1-1 në “Air Albania”, me Partizanin që regjistron ndeshjen e tretë sezonale pa humbje në derbin kundër Dinamos. Ndeshja e kthimit do të luhet më 9 shkurt.
Kupa e Shqipërisë (çerekfinalja e parë)
Dinamo-Partizani 1-1 (Ibraimi 43′ pen / Cara 24′)
Kronika e ndeshjes:
90+3′ Shans fantastik për Kristi Koten, por goditja e lojtarit të Partizanit është e pasaktë.
90+2′ Sherif Kallaku gjuan nga larg, topi përfundon mbi traun e portës së Simonit.
80′ Gjuajtje e menjëhershme e Sherif Kallakut, pritje e bukur e Simon Simonit, i cili i mohon golin e parë me “Demat” fantazistit.
69′ Tjetër mundësi e mirë për Partizanin. Esat Mala lëviz bukur në zonën kundërshtare, por Samake devijon topin në këndore.
64′ Reagon Dinamo. Gjuan kapiteni Agim Ibraimi, pret portieri Alban Hoxha.
58′ Shans i artë për Partizanin. Albion Marku dhuron një asist për Esat Mala, i cili gjuan keq
45′ Mbyllet pjesa e parë në Air Albania, gjithçka e barabartë me rezultatin 1-1
43′ Ibraimi nuk fal nga 11-metrat, mposht Alban Hoxhën edhe pse portieri e kuptoi krahun e goditjes
42′ Ka penallti për Dinamon, ndërhyrje e gabuar e Belicës ndaj Bardhit
38′ Kallaku vendos fantazinë në punë dhe kërkon kombinimin me Carën, por Simoni ndërhyn i sigurt
31′ Inkursion i Malës në zonën dinamovite, por në fund Sofranac ndërhyn dhe mbyll aksionin e të kuqve
24′ Gooooool! Partizani kalon në avantazh, Cara shënon për të kuqtë pas një pasigurie të portierit Simoni në goditjen e H.Markut
14′ Goditje këndi e nisur shpejt nga Dinamo, Sidibe godet me kokë por pa gjetur kuadratin e Hoxhës
13′ Dinamo del mirë në krahun e majtë me Denisson, braziliani fton Ibraimin i cili godet por topi devijohet në këndore nga Bitri
9′ H.Marku hedh një krosim në zonë aty ku Skuka godet me kokë, por nuk ia del të gjejë kuadratin
8′ A.Marku harkon në zonë, por aty mbrojtësi i Dinamos Sofranac tregohet i vëmendshëm duke e larguar topin jashtë zonës së tij
1′ Starton në Air Albania derbi mes Dinamos dhe Partizanit, skuadrat përplasen në kuadër të çerekfinales së Kupës së Shqipërisë
Dinamo: Simoni, Malikji, Sofranac, Demiri, Samake, Siljanovski, Lilaj, Sidibe, Ibrahimi, Denisson, Bardhi
Trajner: Bledi Shkëmbi
Partizani: Hoxha, Marku, Belica, Bitri, Sota, Mala, H.Marku, Kallaku, Junior, Skuka, Cara
Trajner: Dritan Mehmeti



