Kategoria Superiore

Kura “Mezani”, te Laçi Reginaldo bën të harrohet James (Video)

Laçi ka nisur të funksionojë dhe kura “Mezani” ka dhënë efektet e veta. Ndryshimi i trajnerit te kurbinasit ka rezultuar pozitiv, pasi, që nga ardhja në stol e trajnerit vlonjat ka ndryshuar “trendy” i rezultateve. Me 38-vjecarin në krye Laci ka arritur të marrë 7 nga 12 pikë të mundshme, teksa mund të kishte dicka më shumë në klasifikim. Debutimi i Gentian Mezanit përkoi me fitoren 2-0 ndaj Vllaznisë në shtëpi, e cila u shoqërua nga humbja 2-1 me Skënderbeun në transfertë. Megjithatë, në Korçë Laçi mund të kishte marrë diçka më tepër, kur kujton penalltinë e humbur nga Nika në fundin e takimit. Më pas, erdhi barazimi me Flamurtarin dhe fitorja me Lushnjën, çka i ringriti kurbinasit në klasifikim, duke qetësuar disi edhe ambientin. Mezani i ndan meritat edhe me ish-trajnerin, Stavri Nica, për përgatitjen e skuadrës, ndërkohë që arma plus në këto javë duket se është rikuperimi i sulmuesit nga Mozambiku, Reginaldo. Autor i 8 golave edicionin e kaluar me Luftëtarin, 27-vjecari ka shënuar 3 gola në 3 ndeshje të luajtura, ndërkohë që ndaj Lushnjës realizoi dygolëshin e parë me fanellën bardhezi, duke barazuar që në ndeshjen e 3-të rekordin që mbante me Luftëtarin. Me gjirokastritët edicionin e kaluar Reginaldo shënonte vetëm në një ndeshje dy gola, në transfertën e “Loro Boricit” ndaj Vllaznisë. Numri 9 ka fituar zemrat e tifozëve, duke bërë që të harrohet nigeriani James, goleadori i fundit me fanellën e Lacit, ndërkohë që drejtuesit kanë goditur me gjetjen e një golashënuesi të mirëfilltë, duke parë që sezonin e kaluar shënimi i golave ishte “Thembra e Akilit” për bardhezinjtë.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency