Kush ishte Astori, ja si i ngjiti hapat në karrierë (Foto)
Davide Astori 31-vjeç mbrojtës i kombëtares italiane dhe kapiten i Fiorentinës kishte lindur në San Giovanni Bianco, në një provincë të Bergamos në 7 janar të 1987-ës. Roli i tij në fushë ishte mbrojtës qëndre ndërsa këmba e preferuar ishte majta. Astori kishte cilësi të jashtëzakonshme në fushë pasi edhe nga prapavija kishte aftësinë që dinte të luante mirë me topin e parë dhe të niste aksionet për të nxjerrë skuadrat ku luante në sulm. Karrierën e nisi te Ponte San Pietro në 2001, teksa me skuadrën satelite të Milanit, luajti deri në 2006-ën. Nga viti 2008 deri në 2014-ën, Astori ishte pjesë e Cagliarit, skuadër tek e cila u bë i njohur si futbollist. Me sardët ai numëron 173 paraqitje dhe 3 gola. Në 2014-ën ai bëri hapin e madh në karrierë duke u transferuar te Roma, ndërkohë që nga 2015-ta ishte pjesë e Fiorentinës, skuadër tek e cila mbante në krah edhe shiritin e kapitenit që pas largimit të Gonzalo Rodriguez. Me kombëtaren italiane Astori ka debutuar në vitin 2011 në miqësoren Itali-Ukrainë. U grumbullua nga trajneri Prandelli në Kupën e Konfederatave të vitit 2013-të madje shënoi edhe një gol në sfidën ndaj Uruguait.Me fanellën e kaltër të Italisë, Astori luajti 14 ndeshje dhe shënoi pikërisht 1 gol.












