“Ky Real ka një cilësi të veçantë”, Ancelotti: Jemi shumë solidë, Modric fenomenal
Real Madrid po bën shumë mirë me Carlo Ancelottin në pankinë. “Los Blancos” fituan 2-0 derbin e mbrëmjes së kaluar kundër Atletico Madrid dhe vijojnë të dominojnë La Liga-n.
Karim Benzema dhe Marco Asensio realizuan dy gola shumë të bukur për Realin, që arriti fitoren e dhjetë radhazi mes kampionatit dhe Champions League. Ancelotti foli pas fitores në derbi, ku ndër të tjera tha:
“Nuk mendoj se këto rezultate pozitive të Realit kanë ardhur nga efekti Ancelotti. Unë kam një ekip që menaxhon shumë mirë atë që duhet të bëjë në fushën e blertë, një gjë e tillë më qetëson.
Nëse ke lojtarë me cilësi dhe kualitet të lartë, thjesht duhet t’i bashkosh për të mbërritur te fitorja. Më pëlqen shumë skuadra në fazën defensive, jemi përmirësuar shumë, jemi më solidë.
Nuk bëjmë më shumë presing lart, tani kemi më shumë mundësi për të shfrytëzuar sulmuesit tanë në kundërsulm. Të gjithë punojnë me qëllimin e përbashkët për të fituar”. Më pas një koment për Luka Modric.
“E përgëzova për ndeshjen që zhvilloi, sepse loja e tij ishte thjesht spektakolare. Ishte i jashtëzakonshëm, me dhe pa top”. Në fund gara për titullin kampion, me trajnerin italian që ka një mesazh për djemtë e tij.
“Jemi favoritë, por duhet të qëndrojmë të fokusuar sepse në çdo moment mund të pësojmë një rënie në aspektin mendor. Jemi në rrugën e duhur, të vazhdojmë kështu përpara”, deklaroi 62-vjeçari.



