Kylian Mbappe djeg etapat e riaftësimit, gati për Atalantën?
Dukej një hipotezë e paarritshme, por tani në Francë kanë nisur të besojnë se Kylian Mbappé mund të jetë në dispozicion për ndeshjen e “Final Eight” më Champions, përballë Atalantës më 12 gusht. Sipas “L’Equipe”, bomberi i PSG-së është duke djegur fazat e rikuperimit, pas dëmtimit të rëndë që pësoi në kyçin e këmbës në finalen e Kupës së Francës kundër Saint Etienne. Gazeta Franceze, duke përmendur një anëtar të familjes së sulmuesit si burim, shkon më tej dhe thotë se “ekziston një probabilitet prej 90% që ai të grumbullohet për këtë ndeshje”.
Mbappé, siç tregon “L’Equipe”, është parë në “Camp des Loges” (qendra stërvitore e PSG) duke ecur pa patericë, vetëm 4 ditë pas ndërhyrjes dëmtimit.
Të Premten në mbrëmje ai ishte në stendat e “Stade de France” për të ndjekur fitoren e shokëve të tij kundër Lyonit në Kupën e Ligës dhe gjithashtu doli për të festuar, pa treguar ndonjë problem të veçantë.



