La Liga nuk dorëzohet, sulmon sërish PSG dhe City: Nuk i lejojmë të shkatërrojnë futbollin europian!
Dy nga yjet më të shndritshëm të futbollit botëror, Kylian Mbappe dhe Erling Haaland zgjodhën të mos transferohen në La Liga. Francezi pavarësisht insistimit të Real Madrid, pranoi në fund ofertën e PSG për të rinovuar kontratën dhe mbetet në Paris, ndërsa nga ana tjetër, sulmuesi norvegjez kaloi në radhët e Manchester City.
Sigurisht, në vendimin e këtyre dy futbollistëve kanë ndikuar jo pak edhe paratë me PSG dhe Manchester City që zbrasën arkën për të plotësuar kërkesat ekonomike të Mbappe dhe Haaland. Por, shpenzimi pa limit dhe duke harruar Fair Play-n financiar ka irrituar La Liga-n dhe presidentin e saj, Javier Tebas, i cili ka ndërmarrë një nismë ligjore kundër PSG dhe Manchester City ndërsa ka dërguar edhe një letër ankese në UEFA,
“Nuk do të lejojmë që një skuadër europiane të shkatërrojë ekosistemin e futbollit europian. Nuk është një problem i futbollit francez, por i atij europian. Ne duam që Ligue të jetë një kampionat i qëndrueshëm sepse shpenzime të tilla nuk janë të mira për industrinë. Pretendimi ynë në lidhje me çështjen e PSG-së tashmë është hartuar dhe ne do ta dorëzojmë atë në UEFA në ditët në vijim. Ne besojmë se diçka e tillë është vendimi i drejtë për t’u marrë dhe për të mbrojtur futbollin europian dhe futbollin spanjoll”, u shpreh Tebas.



