Kategoria Superiore

Laçi, 2019-ta ka nisur ters, asnjë gol në tre takime!

Laçi ka humbur busullën duke e nisur në mënyrën më të keqe vitin 2019-të. Skuadra e cila pritej t’i jepte një shkundje këtij kampionati ka zhgënjyer në 3 daljet e para zyrtare, pasi nuk ka mundur të shënojë asnjë gol. Gjithçka nisi me atë humbje 0-2 në Kupë ndaj Bylisit edhe pse u mendua që ishte thjesht një rastësi. Ekipi nuk ishte kompletuar pasi afrimet e janarit nuk ishin bashkuar ende me skuadrën. Në një situatë të tillë gjithçka ishte e justifikueshme, por tashmë kur janë luajtur edhe dy ndeshjet e para të kampionatit bien këmbanat e alarmit për kurbinasit.

Ndaj Kukësit në transfertën e Kamzës bardhezinjtë iu kënaqën pa masë barazimit pa gola, duke e cilësuar një rezultat të pranueshëm me një prej rivalëve për titull. Në letër kjo javë ofronte një mundësi për t’iu rikthyer suksesit por që në të vërtetë nuk rezultoi e tillë. Ndaj Luftëtarit skuadra nuk bëri asgjë, diçka që e pranoi edhe vetë trajneri Besnik Prenga pas përfundimit të takimit. 270 minuta dhe asnjë gol i shënuar është një shifër që nuk i shkon për shtat Laçit, që 2018-ta e mbylli me dy rezultate pozitive, fitore në shtëpi ndaj Tiranës dhe barazimi në transfertë me Teutën, një tjetër pretendente për zonën e sipërme të klasifikimit. Edhe në lojë kjo skuadër duket shumë larg asaj që kemi parë vitin e shkuar dhe tashmë detyra e trajnerit Prenga është të rikthejë besimin tek grupi, ndërkohë që dy sulmuesit e afruar në orët e fundit të merkatos duhet të përshtaten sa më shpejt me ekipin për të nxjerrë Laçin nga kjo situatë.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency