Laçi-Kastrioti, përplasje objektivash, kurbinasit për fitoren e pestë rresht
Laçi i Mirel Josës zbret për herë të fundit në fushë në këtë 2021 këtë të mërkurë për t’u përballur me Kastriotin e fundit të tabelës. Fitorja e fundit, 2-0 ndaj Egnatias, ishte e pesta radhazi për kurbinasit, që falë kësaj ecurie fantastike kanë fituar kuota si një ndër pretendentët seriozë për titullin, dhe ndaj Kastriotit duan pa dyshim ta mbyllin në të njëjtën mënyrë për t’i shijuar festat me humorin në maksimum.
Kastrioti i Ndreut ndërkohë, ka nevojë për pak oksigjen në prag të festave. Humbja e fundit me Skënderbeun, një rival direkt, i ka lanë krutanët 6 pikë larg zonës së shpëtimit, dhe një thellim i këtij hendeku do të komplikonte në maksimum misionin për të qëndruar në elitë. Me sytë nga merkatoja prej disa javësh, Ndreut i duhet një sforco e fundit nga skuadra, për të ndërhyrë më pas me plotësimin e një organike që deri më tani e ka penalizuar. Nuk do të jetë aspak e lehtë përballë një Laçi që po i “asfalton” rivalët njëri pas tjetrit, duke nisur nga dy skuadrat e kreut, Tirana dhe Kukësi, që provuan shijen e hidhur të humbjes me kurbinasit që me një tjetër sukses kanë shansin të kapin Kukësin në vendin e dytë dhe të kërcënojnë Tiranën kryesuese, duke kërkuar të përfitojnë edhe nga kalendari, që për ndeshjet e fundit vë Kukësin përballë Vllaznisë dhe Tiranën kundër Partizanit. Një shans me të vërtetë për të mos u humbur!



