Kategoria Superiore

Laçi-Kukësi, duel rivalësh në derbin e ri të veriut

Laçi-Kukësi vitet e fundit, për shkak dhe të pozitave të dobëta të Vllaznisë dhe rënies së fundmi të saj në Kategorinë e Parë ka fituar dhe të drejtën për t’u quajtur derbi i veriut dhe jo thjesht për shkak të pozitave gjeografike të dy qyteteve që përfaqësojnë, por dhe për faktin se kanë një kontigjent konkurrues, janë protagonistë absolutë në Superiore dhe mbi të gjitha janë pjesëmarrës të rregullt në Europë çdo sezon.

Përpos kësaj dhe vetë ndeshja ka qenë vitet e fundit e karakterizuar dhe nga një tension tipik i një derbi, mes dy skuadrave që kërkojnë patjetër rezultatin ndaj njëra-tjetrës, pavarësisht se fitorja ndaj rivalit nuk mund të konsiderohet kurrsesi si pika më e lartë e sezonit. Sfida e radhës për më tepër i vendos ekipet përballë në pozita të barabarta, me njërën prej tyre që mund të humbasë terren me kreun e renditjes. Laçi, përpara humbjes me Teutën, ishte i vetmi ekip që nuk njihte disfatë në Superiore dhe tashmë te kurbinasit ekziston dëshira për t’u kthyer sërish te rezultatet pozitive, ndërkohë që Kukësi pas dy humbjeve pati frymëmarrje falë suksesit me Kastriotin.

Ekuilibri ka qenë kaq i plotë mes dy formacioneve, sa katër takimet e fundit mes tyre kanë përfunduar në barazim, ndërsa kurbinasit nuk arrijnë të mposhtin Kukësin prej 8 shkurtit të 2015-tës. Një kohë e gjatë, që bardhezinjtë kërkojnë t’i japin fund, edhe pse Kukësi e di mirë se një rrëshqitje në këto momente mund të jetë e pariparueshme sa i përket objektivit titull.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency