Conference League

Laçi më pranë surprizës, Vllaznia shpreson te mrekullia, Teuta… mysybet

Një fitore dhe 3 humbje ishte bilanci i ndeshjeve të para të raundit të dytë në Conference League për skuadrat shqiptare, një raund që pati anët pozitive, por pa diskutim edhe negative. Laçi i’a doli të triumfonte 1-0 ndaj Universitatea Craiovës duke gjunjëzuar një skuadër që ka një buxhet shumë më të lartë se bardhezinjtë dhe një vlerë në merkato rreth 24 milion euro më shumë se kurbinasit,që treguan se futbolli nuk luhet vetëm në shifra, por edhe në fushë.

Një gol i Dejan Zarubicës, i ardhur nga një pasim perfekt i Lushkjes ishte i mjaftueshëm për të siguruar fitoren në ndeshjen e parë dhe natyrisht që asgjë nuk ka përfunduar, pasi do të duhet shumë djersë e vuajtje për të marrë kualifikimin, megjithatë nuk ka asnjë dyshim që kurbinasit po kalojnë një moment të jashtëzakonshëm forme dhe shanset janë për të shkuar më tej.

Vllaznia u largua nga Limassoli me një humbje minimale 1-0 përballë AEL-it, një rezultat jo i keq. Shkodranët u ndëshkuan në fundin e pjesës së parë, megjithatë limituan dëmet dhe një humbje e tillë minimale u jep shanse për kualifikim kuqebluve të Brdariç. Ndeshja e së enjtes së ardhshme në Shkodër do të jetë zjarr me një “Loro Boriçi” i gjithi në mbështetje të Vllaznisë. Gjithçka është e hapur dhe e vetmja notë negative ka të bëjë me kartonin e verdhë të Djurdjevic, heroi i fitores 3-0 ndaj Sirokit, i cili nuk do të jetë në takimin e kthimit kundër AEL-it.

Partizani është praktikisht i eliminuar nga Conference League, diçka që pritej që në çastin kur shorti i vendosi përballë Baselin. Diferencat në “St. Jakob Park” ishin të dukshme dhe edhe pse demat u munduan të rezistonin duke aplikuar një lojë mbrojtëse, helvetët ishin të qetë, me vetëbesim dhe të saktë, duke shfrytëzuar edhe gabimet e vetë lojtarëve të kuq. Shumë vlerësime për mundin e demave, por në fund ajo që ishte e parashikueshme ndodhi, fitoi skuadra me më shumë cilësi e përvojë në kompeticione të tilla.

Në fund Teuta… çfarë të thuash për një skuadër që mposhtet nga kampionët e një prej kampionateve më modest në të gjithë botën siç është ai i Andorrës…..I madhi Roland Trebicka, në rolin e Jovan Bregut tek telekomedia e famshme “Pallati 176”, kur e pyetën si vajti, u përgjigj: Mysybet vajti!

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency