Laçi pa eksperiencë por me dëshirë dhe guxim për të treguar veten
Paraqitja e Laçit në transfertën e Gjirokastrës konfirmoi edhe një herë që kubrinasit janë një skuadër e vështirë këtë edicion, pavarësisht oshilacioneve që kanë treguar. Një 90 minutësh i nisur me golin e pësuar që në vërshëllimën e gjyqtarit do të vendoste në vështirësi çdo skuadër por kjo nuk ndodhi me bardhezinjtë. Laçi reagoi si një skuadër e madhe duke kërkuar golin e barazimit, pavarësisht se rrezikoi shumë duke lënë hapësira prapa. Dëshira e futbollistëve për të bërë mirë u shfrytëzua më së miri nga stafi teknik dhe në veçanti trajneri Gentjan Mezani, i cili guxoi duke hedhur në fushë një skuadër shumë sulmuese dhe me një rreshtim të ri taktik. Nga mbrojtja me 4 , Laçi kaloi me 3 qendërmbrojtësa ndërsa kishte në fushë shumë lojtarë me tipare sulmuese duke filluar me dyshen Reginaldo-Xhixha për të vijuar me Uzunin, Nikën, Bushin dhe Jonuzin e Kallakun si dy mesfushorë qëndre. Në fund guximi i trajnerit vlonjat u shpërblye me golin e barazimit, një pikë shumë e rëndësishme për kurbinasit pasi mban prapa kundërshtarët duke i vendosur nën presionin e mbijetesës. Ajo që i mungon Laçit të këtij edicioni të paktën deri më tani në 11 javë është eksperienca, jo vetëm tek futbollsitët por edhe tek trajneri, e cila kompesohet me dëshirën e madhe për të treguar futboll modern dhe guximin për të treguar një lojë ofensive dhe për të fituar duartrokitjet e të gjithë ambientit në futbollin shqiptar.



