Laçi para ndeshjes europiane, Duro: Jemi ekipi më i mirë shqiptar, favoritë ndaj Iskrës
Laçi është gati për të nisur aventunën Europiane. Të enjten në orën 20:00 kurbinasit do të luajnë sfidën e parë me Isra Danilovgrad në “Elbasan Arena”, takim i vlefshëm për raundin e parë kualifikues të Conference League. Për SuperSport, trajneri i bardhezinjve, Shpëtim Duro tregon se ekipi është gati, duke veçuar se përgatitjet kanë qenë në pritshmëritë e tij.
“Sigurisht që jemi gati. Kemi bërë një fazë përgatitore në Pogradec në kushte shumë të mira. Skuadra ka qenë e përqendruar dhe serioze. Jemi gati për të filluar këtë aventurë europiane”.
Laçi është një nga ekipet që ka marrë pjesë rregullisht në edicionet e fundit në Kupat e Europës, çka i ka krijuar dhe koeficientin më të lartë nga skuadrat shqiptare dhe duke e klasifikuar tek ekipet favorite në dy raundet e para. Diçka të tillë e pranon dhe trajneri Duro, por kujton se në futboll jo gjithmonë arrin të fitojë ai që konsiderohet si favorit në letër.
“Në letër ne jemi favoritë, duke patur parasysh koeficientin në Kupat e Europës, pasi jemi ekipi më i mirë shqiptar në vitet e fundit me pjesëmarrjet në Europë, ndaj dhe konsiderohemi favoritë përballë Iskrës. Por, në futboll jo gjithmonë fiton skuadra favorite. Duhet përqendrim, seriozitet dhe të bëjmë një paraqitje si edicionin e shkuar.
Kundërshtari ka ndyshuar shumë nga edicioni i shkuar, diçka që e kanë të qartë te Laçi, ndaj kanë marrë të gjitha masat për të evituar çdo surprizë të pakëndshme.
“E kemi studiuar kundërshtarin, por ka një fakt se ekipi i Iskrës ka ndyshuar shumë dhe nuk jemi marrë me ndeshjet e sezonit të shkuar. Kemi parë ndeshjet e tyre përgatitore, e kemi analizuar me skuadrën. Është një ekip jo në nivelin tonë, por është një skuadër që vendoset mirë në fushë dhe duhet patjetër që të gjejmë mënyrën që ekipi jonë të përgatitet mirë të kalojmë këtë raund”.
Ndeshja e parë mund t’u japë kurbinasve një avantazh të konsiderueshëm për kualifikimin, nëse do të arrihet një fitore, por për Duron e rëndësishme është që skuadra të jetë e përqendruar për të dyja këto përballje që do të luhen.
“Nuk ka ndryshime mes ndeshjeve. Një rezultat pozitiv na lehtëson punën për takimin e kthimit, por nuk ka më shumë diferenca. Edicionin e shkuar kemi treguar se dimë të luajmë mirë dhe jashtë fushe. Do të jenë dy takime shumë të rëndësishme, por jo deçizive ndeshja e parë edhe pse një rezultat i mirë do të jetë pozitiv. Ne duhet të jemi të përqëndruar për të dyja ndeshjet.
Duhet të jemi realistë se kalimi i një turi është sukses për ekipet shiptare. Si vijnë situatat është një temë tjetër. Kemi ndryshime, por jo të shumta pasi kemi ruajtur 70-80% të ekipit. Janë larguar disa lojtarë të mesit të fushës, që janë të rëndësishëm për një ekip, si Shehu e Deliu. Është një histori e mbyllur dhe shohim para, pasi kemi lojtarë të mirë dhe duhet të kalojmë këtë tur. Më pas do të shohim nga merkato për të piketuar ndonjë lojtar cilësor, pasi nuk na duhen shumë ndryshime”, u shpreh Duro.



