Laçi për rikthimin te fitorja, Skënderbeu kërkon shpresë në premierën e Gegës
Në kërkim të reagimit, edhe pse me objektiva diametralisht të kundërt dhe dimensione të ndryshme. Laçi-Skënderbeu është një ndër sfidat interesante të kësaj të diele të Superiores. Kurbinasit, në vendin e dytë të klasifikimit, duket se nuk e kanë marrë veten nga ajo humbje në Air Albania përballë Tiranës, pasi nuk fitojnë prej 3 ndeshjesh, dhe në takimin e fundit u rikuperuan në barazim nga Kastrioti.
Tanimë në shtëpi, përballë Skënderbeut të vendit të fundit për ekipin e Mirel Josës ka ardhur momenti të rikthehet te fitorja, për të vazhduar ecurinë pozitive të një sezoni ku për një moment ishin vetëm 3 pikë larg kreut. Laçi është pa dyshim një ndër skuadrat më të mira të këtij kampionati, dhe niset dukshëm favorit përballë një Skënderbeu që sapo ka ndryshuar drejtim.
Migen Memelli dha dorëheqjen pas disfatës me Dinamon, e fundit e një serie prej 12 ndeshjesh ku skuadra korçare nuk njeh fitoren, dhe vetëm para pak ditësh në drejtim erdhi Skënder Gega. Trajneri kampion me Partizanin, ka marrë përsipër një mision të vështirë, por sipas tij, aspak të pamundur për të siguruar qëndrimin në elitë.
Por, edhe pse është herët për të parë zhvillime në planin tekniko-taktik, ndryshimi në stol pritet të sjellë një shkundje për sa i përket skuadrës që niset drejt Laçit për të dhënë maksimumin, me shpresën që në një ditë të mirë, të surprizojnë kurbinasit për të fituar shpresë në betejën e vështirë të mbijetesës.



