“Laçi për titull”, Devolli: Dua njerëz që luftojnë, nesër vjen kthesa e madhe
Dinamo do të tentojë të lërë pas krahëve eliminimin në Kupën e Shqipërisë. “Blutë” presin Laçin në “Elbasan Arena” ditën e hënë (16:45), përballje që do të transmetohet në Supersport 3. Trajneri Bledar Devolli vlerësoi bardhezinjtë e Josës në prononcimin për mediet, teksa shprehu besimin maksimal se ekipi i tij do të bëjë kthesën e shumëpritur.
“Ne jemi këtu për të punuar në të gjithë drejtimet: nga ana psikologjike, taktike dhe fizike. Kemi një kundërshtar të vështirë, që është me merite në vend të dytë, besoj se do të jetë prentendent deri në fund për titullin kampion. I kemi parë, nuk kanë luajtur mirë në ndeshjet e fundit, por kanë fituar. Kjo tregon që janë rritur shumë si ekip, por ne do bëjmë punën tonë. I kemi marrë masat, do luajmë vetëm për të fituar ndeshjen. Duhet të jemi agresivë në të dy fazat e lojës. Kur të humbasim topin do të insistojmë ta rikuperojmë ose të detyrojmë kundërshtarin t’i bie pa adresë.
Më pëlqeu dëshira ndaj Partizanit, por jo me logjikë. Unë dua të luajë ekip si dua unë, jo si duan lojtarët. Nëse i bëjmë gjërat vetë, rezultatet do të vijnë, që nesër.
I kemi lojtarët të gatshëm, por kemi lodhje. E rëndësishme është që i kemi të gjithë lojtarët të gatshëm. E kam më të thjeshtë të zgjedh formacionin dhe të bëj zëvendësime pa dhimbje koke. Shpresoj që nesër të vijë kthesa e madhe.
Unë dua njerëz që vrapojnë dhe luftojnë, kur kemi dhe kur nuk kemi topin. Duhet të jemi agresivë, të kemi besim, të luajmë me vertikalizime. Kam shumë besim se nga nesër do të vijë kthesa e madhe që të gjithë presim.
Maliqi ka problem, Siljanovskin e kam parë mirë, bëri mirë ndaj Partizanit, besoj se do të jetë Siljanovski në krahun e djathtë të mbrojtjes. Kam shumë besim se nesër do të jemi mirë me lojë, por edhe me rezultat.
Unë nuk kam frikë asnjë ekip. Nëse jemi në rregull, nëse i bëjmë gjërat drejtë dhe ashtu siç i kemi përgatitur në stërvitje, do e shikoni edhe ju se nuk do kemi më probleme, qoftë me golin, rezultatin dhe lojën. Nëse prodhon lojë vjen edhe rezultati, unë i këtij parimi jam.
I kemi mundësitë, kemi cilësinë dhe djemtë: unë kam besim. Duhet edhe pak kohë që të fus agresivitetin dhe lojën e bukur. U ndje pak ndryshimi me Partizanin, po pa logjikë. Nëse i bëjmë gjërat me logjikë, me dëshirë dhe entuziazëm, atëherë do të vijnë edhe rezultatet, për këtë jam shumë i bindur“, theksoi trajneri i Dinamos.
Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?



