Laçi pret Teutën, trajnerët u gëzohen rikthimeve në sulm
Humore të ndryshme në Laçi- Teuta, një prej sfidave më interesante të kësaj fundjavës në Abissnet Superiore. Laçi pas dy fitoreve radhazi që kanë rikthyer entuziazmin pas një nisjeje të vështirë të sezonit dhe me Josën me pak më tepër kohë në drejtim, kërkon të rikuperojë terrenin e humbur në klasifikim, përballë një Teute që vjen me pengjet e atij barazimi me Kastriotin, dhe synon një reagim të shpejtë për t’u rikthyer me marshin e duhur në rrugën për mbrojtjen e titullit.
Lajme të mira për trajnerët në të dyja kampet, me Josën që rigjen njeriun e këtij sezoni në kampin kurbinas, Zarubicën, ndërkohë që po rikthehet dhe Van Dave Harmon, një sulmues që sezonin e kaluar bëri të mos ndihej mungesa e një bishe golash si Nwabueze.
Ndërkohë edhe te Teuta, Edi Martini i gëzohet potencialit të plotë në sulm, trajneri shkodran ka më në fund të gatshëm Koubemba, gjigantin senegalez që mund të kthehet në një pikë referimi në majën e sulmit, ndërkohë që në Kupë gjeti golin Lorenco Vila, një element thelbësor që po gjen formën më të mirë dhe mund të jetë një armë e rëndësishme për pjesën e mbetur të sezonit në një repart ku Teuta ka edhe më shumë nevojë.
Duke u bazuar në karakteristikat e të dyja skuadrave është për tu pritur një ndeshje e luftuar dhe e vështirë për tu parashikuar, me Laçin dhe Teutën të vendosura të mos lëshojnë më pe në rrugën drejt objektivave sezonalë.



