Laçi-Skënderbeu, Memelli dhe Shehi duan fitoren, barazimi nuk kënaq asnjë!
Luhet, në Selman Stërmasi me Laçin pritës dhe Skënderbeun që pas vetëm pak ditësh kthehet në stadiumin ku mposhti 2-0 Partizanin. Është një përballje mes dy skuadrash në formë, Migen Memelli e nisi aventurën në stolin kurbinas me një fitore me peshë në fushën e Luftëtarit, ndërsa Skënderbeu vjen pas 5 fitoresh radhazi, ku statistika më interesante është ajo se skuadra e Shehit nuk ka pësuar asnjë gol, meritë jo vetëm e Aldo Teqjas që i ka vënë kyçin portës, por edhe një mbrojtjeje hermetike dhe lojës në skuadër. Në fazën e parë përfundoi 1-1, në Korçë shënonte Uzuni që tani po shkëlqen në Kroaci, me Laçin që ka gjetur goleadorin te Ndricim Shtubina, vendimtar edhe në sfidën e fundit me golin në Gjirokastër. Atmosfera në kampin korçar është ideale, siç dëshmon edhe video e darkës pas fitores me Kastriotin, me Shehin dhe Muzakën protagonistë, mesfushori në fakt po përjeton një rini të dytë në Korçë, katër gola në total, dy në dy ndeshjet e fundit, i ka shënuar edhe Laçit në fazën e parë. Ashtu si gjithë grupi është gati për të zbritur sërish në fushë, me Shehin që pasi la pushim ndaj Kastriotit, Radas dhe Demte i kthen titullarë në formacionin tip që jemi mësuar të shohim në shumicën absolute të ndeshjeve, te Laçi ndërkohë Memelli kërkon një fitore përballë skuadrës ku nisi futbollin profesionist, tekniku 38-vjeçar i ka të gjithë gati dhe ashtu si Skënderbeu prezantohet në Selman Stërmasi me formacionin më të mirë, duke rritur pritshmërinë për një 90 minutësh të rivalizuar e plot antagonizëm.



