Kupa e Shqipërisë

Laçi surpriza e sezonit, synon Kupën e tretë në histori

Laçi mund të konsiderohet surpriza e këtij sezoni, një skuadër me buxhet minimal, emra të rinj në përbërje që në fund të kampionatit ka lënë pas skuadra me emër dhe buxhet disa herë më të lartë si Partizani dhe Flamurtari.

Sikur të mos mjaftojë kampionati, kurbinasit diskutojnë në mënyrë befasuese edhe finalen e Kupës së Shqipërisë, për të tretën herë, ku në dy prej tyre ka dalë me trofeun në duar. Krahasimi midis kësaj skuadre dhe asaj që fituan dy kupa nuk ekziston, pasi në atë periudhë Laçi kishte lojtarë që e njihnin shumë mirë kampionatin shqiptar, futbollistë me emër dhe me cilësi.

Sot bardhezinjtë kanë një grup simpatik por që në startin e sezonit ishin të panjohur, madje ish trajneri Stavri Nica u largua pasi nuk shihte shenjat e duhura tek këta djem për të arritur deri këtu. Për të drejtuar një grup të tillë duhej një trajner që t’i përshtatej dhe mesa duket grupi i Laçit u kompletua më së miri me ardhjen e Gentjan Mezanit në krye të ekipit.

Vlonjati ka ndryshuar mënyrën e lojës së bardhezinjve, madje duke i shtuar vlerën shumë prej futbollistëve të cilët kanë tërhequr vëmendjen e menaxherëve të klubeve europiane. Selmani, Fangaj, Kallaku, Jonuzi dhe Uzuni janë xhevahirët bardhezi të cilët tek finalja e kupës kanë mundësinë të shtojnë akoma më shumë vlerën në merkato për të përfunduar në një skuadër dhe kampionat më të fortë.

Sigurisht që në fund do të përfitojë edhe klubi, që si asnjëherë në histori mund të përfitojë paratë nga Europa dhe merkato. Në këtë mënyrë Laçi i bashkohet Skënderbeut dhe Kukësit, që jo vetëm arkëtojnë nga trofetë dhe Europa, por edhe nga shitjet e futbollistëve. Kupa është mundësia e artë për këdo tek kurbinasit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency